Athina paralizohet nga greva e transportit
Greva e punonjësve të transportit publik ka shkaktuar një rëndim të paparë të trafikut në kryeqytetin e Greqisë.
Punonjësit protestojnë kundër privatizimit dhe uljes së pagave.
Rrugët e Athinës u bllokuan që në mëngjes nga automjetet e shumta private me të cilat qytetarët përpiqeshin të shkonin në vendet e punës.
Greva përkon me diskutimin në parlament të buxhetit të vitit të ardhshëm, që parashikon reduktime të mëdha në fondet për sektorin publik.
Reduktimet konsiderohen të domosdoshme për efektivitetin e reformave që ka ndërmarrë qeveria në përpjekjet e saj për nxjerrjen e vendit nga kriza, njofton korrespondenti i BBC-së në Athinë, Robert Goro.
Agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të efikasitetit të ekonomisë kanë dyshime për mundësinë e daljes së Greqisë nga kriza e borxhit. /bbc/