Mustafa vendos të mbajë postin e kryetarit të Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vendosur të mbajë postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, duke hequr dorë përfundimisht për të qenë deputet.
Lajmi bëhet i ditur nga “Koha Ditore”, sipas të cilës, Mustafa ka njoftuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimin e tij. Mustafa u rendit në krye të listës së LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke marrë 130 213 vota.
Burime të “Kohës Ditore” brenda KQZ-së kanë treguar se njoftimi i Mustafës është diskutuar të enjten në këtë institucion, i cili pritet që në ditët në vijim t’ia kthejë përgjigjen liderit të LDK-së, partia e të cilit në përbërjen e re të legjislativit do të përfaqësohet me 27 deputetë.
Gazeta ka kuptuar se në vend të Isa Mustafës postin e deputetit do ta ushtrojë kandidati Sali Asllanaj, i cili ka fituar 7.388 vota dhe është në listë të pritjes. Asllanaj është kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë dhe është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.