E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Rikthimi i Topit në politikë, lajm i mirë për të djathtën

Mustafaj: “Nuk e di se çfarë do të bëjë, por unë e quaj një lajm të mirë për të djathtën që Topi do të rikthehet në politikë. Tani, a do të arrijë Topi të reformojë të djathtën në përgjithësi, kjo mbetet për t’u parë. Staturën morale e ka. A ka një staturë lideri në organizim...kjo mbetet për t’u provuar”

TIRANË Një nga figurat kryesore të së djathtës, Besnik Mustafaj e sheh lajm të mirë rikthimin e Bamir Topit në politikë, pas mbarimit të mandatit si President. Po aq e vlerëson edhe ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili thekson se kjo qeverisje ka humbur identitetin e saj të djathtë. Të ftuar në emisionin “Shqip” në TCH, Mustafaj dhe Biberaj kanë folur për herë të parë për ambicien e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t’iu rikthyer politikës e pse jo në drejtimin e një partie të re të djathtë. “Unë e kam dëgjuar intervistën e z.Topi, i cili thotë se do të rri në politikë dhe do të jem djathtas. Pra e reja nuk është se do të jem djathtas, sepse ai është një pjesë organike e së djathtës shqiptare. Një farë gjëje e papohuar deri atëherë ishte që unë do të rri në politikë. Për mua ky është një lajm i mirë për të djathtën, sepse e djathta shqiptare sot ka shumë njerëz, por ka shumë pak personalitete dhe Topi është një personalitet i së djathtës, është një njeri i rritur domethënë, nga një djalosh deri tek një burrë, brenda aktivitetit politik të së djathtës. Ka një karriere parlamentare qeveritare dhe presidenciale dhe nuk ka ku të shkojë më shumë për të djathtën. Dhe ky është një lajm i mirë për këtë”, - tha mbrëmë Mustafaj. Nisur nga njohja e tij e gjatë me Bamir Topin, Mustafaj ka sqaruar se një lëvizje e mundshme e Topit brenda së djathtës nuk do të kishte si qëllim fitoren e Edi Ramës në zgjedhjet e 2013-ës. “Me aq sa e njoh gjatë këtyre 20 vjetëve Topin, nuk e kam njohur para viteve ‘90, e kam njohur pas viteve ’90, pas momentit të fillimit të lëvizjes demokratike në Shqipëri dhe krijimit të PD-së, Topi nuk bën asgjë për inat, pra nuk është Bamir Topi ai që do të krijonte lëvizje në të djathtën shqiptare për të ndihmuar Edi Ramën për të ardhur në pushtet. Kjo është një fobi e atyre që e artikulojnë. Por ai do të përpiqet, nëse do të krijojë partinë, ndoshta jo...me statutin e PD-së, ai është anëtar i Këshillit Kombëtar sa të jetë gjallë, për sa kohë nuk krijon një parti tjetër. Nuk e di se çfarë do të bëjë, por unë e quaj një lajm të mirë faktin që do të rikthehet në politikë. Tani, a do të arrijë Topi të reformojë të djathtën në përgjithësi, kjo mbetet për t’u parë. Staturën morale e ka. A ka një staturë lideri në organizim...kjo mbetet për t’u provuar”, - tha ai. Ndërsa ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj deklaroi ndër të tjera se PD-ja tashmë ka kaluar majtas. “Kjo qeverisje ka humbur identitetin e vet, por forcat e djathta janë prezente. Kështu që ajo luftë që ka ekzistuar brenda PD-së deri tani është shfaqur në nivel institucional dhe nuk ka asnjë lloj lidhjeje me demokracinë. Topi ka qenë kryetar i grupit parlamentar të PD-së, nënkryetar i partisë dhe dihet historia katërvjeçare që kanë pasur institucionet e qeverisjes me të. Pra nga pikëpamja institucionale, të gjitha sulmet që i drejtohen institucionit të Presidentit nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë. Këto janë modele tepër të vjetra. Shqipëria ndodhet përballë një reformimi të së djathtës. Është detyrim imediat reformimi i së djathtës, sepse janë të gjitha këto kapacitete që duhet të orientohen dhe nga ana tjetër kemi një pushtet të kalbur dhe të zhytur në korrupsion”, - tha Biberaj.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›