Laç, shkrumbohen kodrat me pisha të qytetit
LAÇ Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarësh me pisha pasditen e djeshme në kodrat e qytetit të Laçit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar tre zjarrfikëse nga Kurbini, të cilat po bëjnë të mundur shuarjen e flakëve që favorizohen nga era. Ndërkohë terreni i thyer malor ka vështirësuar edhe më tej ndërhyrjen e zjarrfikësve për të bërë të mundur edhe lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, por policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rënies së zjarrit, si dhe ka nisur shoqërimin e personave të dyshuar për këtë ngjarje. Ndërsa mësohet se përhapja e gjerë e flakëve të zjarrit nuk ka kërcënuar ndonjë banesë apo t’u jetë afruar atyre.