Topi: Konflikti me Topallin? Axhenda ime është integrimi
Presidenti i Republikës deklaroi dje nga Kuçova se angazhimi i tij këto ditë do të jetë në funksion të integrimit
TIRANË Ka zgjatur vetëm 24 orë replika mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Presidenti i Republikës e ka parë të udhës të mos replikojë më për një çështje, e cila mori përmasa krejt të tjera nga konteksti në të cilin ai foli pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës. Në vizitën e tij të radhës të mbajtur në Kuçovë pas ceremonisë së përurimit të bustit të inxhinierit polak të gjeologjisë, Prof. Stanisllav Zuber, Presidenti Topi u pyet nga media lidhur me arsyen e vërtetë të këtij debati. Por në përgjigjen e tij të shkurtër, Presidenti i Republikës la të kuptohet qartë se angazhimi i tij këto ditë do të jetë në funksion të integrimit dhe detyrave të tij si President. Topi këshilloi që një gjë të tillë ta bëjnë edhe institucionet e tjera, përfshi këtu edhe Kuvendin. “Sot jemi në Kuçovë për të përuruar monumentin dhe për të dekoruar një figurë të madhe të popullit polak, që dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për popullin shqiptar, për shkencën shqiptare të gjeologjisë. Në këtë mjedis ka shumë figura të rëndësishme, por ka edhe shumë popull nga Kuçova. Sot është ditë e hënë. Presidenti ka filluar një veprimtari intensive, që i takon javës dhe ju siguroj që gjatë javës do të kem një axhendë shumë të ngarkuar, e cila vijon nga detyrimet institucionale të Presidentit, por edhe në vijim të asaj axhende integruese për Shqipërinë, të cilën besoj se duhen ta kenë të gjitha institucionet. Të gjithë së bashku duhet të punojmë me shumë përkushtim për këtë axhendë për t’iu përgjigjur, secili në institucionin e tij, por edhe të gjithë së bashku, asaj që ka thënë edhe Komisioni i Bashkimit Evropian...”, - tha Topi.