Mustafi, kampion i Europës...por me Gjermaninë U-17Shkodran Mustafi, një mbrojtës i ekipeve të moshave të Hamburgut, eshte blere se fundi nga Evertoni ne Angli

“Askush nga ata që luajti në këtë ndeshje nuk do ta harrojë kurrë atë”. Fjalët janë të trajnerit gjerman të Kombëtares U-17, Marko Pecaiuoli, tashmë kampion i Europës, për të tretën herë në 27 kampionate të zhvilluara të kësaj moshe qysh nga viti 1982, një kompeticion ku Shqipëria U-17 u eliminua në fazën e grupeve eliminatore ku bënin pjesë Finlanda (humbëm 0-4), Bjellorusia (0-7) e Maqedonia (3-3).
Dhe atë finale dramatike të Europianit U-17 prej 120 minutash kundër Holandës (2-1), të vendosur nga një kryevepër nga goditja e lirë e zëvendësuesit Florian Trinks (117’) përpara një turme rekord prej 24 mijë vetash në stadiumin e Magdeburgut, nuk do ta harrojë kurrë edhe mbrojtësi shqiptar i Gjermanisë U-17, Shkodran Mustafi, një ndër më të rëndësishmit e formacionit gjerman.
“Shkodani është një lider. Ai është një përdorues i shkëlqyer në goditjet me kokë dhe një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin”, - shkruante uefa.com për shqiptarin me numrin “5”, përpara finales kundër Holandës. 16-vjeçari kishte shënuar pikërisht me kokë golin e fitores 3-1 të Gjermanisë U-17 kundër Turqisë në fazën e grupeve.
Kamerat e televizionit më të madh sportiv “Eurosport”, që transmetoi direkt finalen Holandë-Gjermani e fokusuan shpesh Mustafin, tashmë pjesë e Evertonit në Angli, teksa në stadium shqiptari mori edhe përgëzimet e Johakim Lëvit, trajnerit të Gjermanisë së madhe, asaj “A”.
“Mendoj se kjo ishte ndenja më e bukur që unë kam përjetuar në jetën time. Ishte një ndeshje perfekte, një turmë tifozësh perfekt, një atmosferë perfekte, një stadium perfekt. Ne ishim të sigurt se do të fitonim. Nuk shpresoja se do të ishte kaq ekzaltuese. Ne fituam në kohën shtesë, por e kërkuam fitoren dhe për këtë jemi krenarë. Gjithkush nga ne dëshiron të luajë me ekipin Kombëtar nën urdhrat e Johakim Lëvit”, - tha mbrojtësi shqiptar Mustafi për faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com, menjëherë pasi vendosi medaljonin e artë të kampionit të Europës.
Shkodran Mustafi, një mbrojtës i ekipeve të moshave të Hamburgut, një skuadër për ekipin e parë të të cilit ka luajtur më parë edhe Besart Berisha, përpara se sulmuesi i Kombëtares shqiptare të transferohej te Bërnli në Angli, e që në vazhdimësi ka shprehur interesimin për kapitenin shqiptar të Marsejës, Lorik Cana, ishte pjesë e Gjermanisë U-17 në “zbërthimin” e Anglisë, në atë fitore të bujshme 4-0 në fazën e grupeve të finaleve të Europianit U-17.
Mbrojtësi shqiptar me pasaportë gjermane Mustafi dallohet për praninë e tij të shkëlqyer fizike në lojë, dhe këtë e tregoi kundër ekipeve më të mëdha të Europës, Holandës (2 herë), Anglisë, Italisë e Turqisë (1 gol kundër kësaj të fundit).
“Evertoni është shumë afër kompletimit të një marrëveshje me djaloshin gjerman, mbrojtësin Shkodran Mustafi, që luan për Hamburgun. 16-vjeçari, i cili ishte pjesë e Gjermanisë U-17 kur ajo mundi 4-0 homologët e saj anglezë në javën e kaluar, besohet do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me klubin nga ‘Goodison Park”, - shkruante gazeta e Liverpulit, “Liverpool Daily Post”.
“Ne me të vërtetë u përpoqëm të mbanim Shkodranin në klubin tonë, por kur një klub nga Anglia vjen dhe e kërkon ne jemi të paaftë për ta konkurruar atë financiarisht. Është e vështirë ta pranosh, por kjo nuk do të na shkatërrojë. Ne shpresojmë vetëm që kjo të mos na ndodhë shpesh”, - tha për mediat gjermane, Jens Todt, kreu i akademisë së futbollit pranë Hamburgut, që pranon haptazi dominimin financiar të klubit anglez.
Vetë ylli më i ri i legjionarëve shqiptarë me emrin e bukur “Shkodran”, tha pak ditë më parë për transferimin e tij drejt Anglisë, atje ku dhe luajnë disa shqiptarë të tjerë si te Liverpuli apo Arsenali: “Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time. Ishte paksa një vendim i hidhur kur mora pranova të largohesha nga Hamburgu”.
Pas fitimit të Europianit U-17, Mustafi do të udhëtojë drejt Anglisë, ku do t’i nënshtrohet analizave mjekësore rutinë te Evertoni. “Ishte ëndrra ime të luaja për një ekip të Premier Ligës. Është një ëndërr e shndërruar në realitet. Atje u japin shanse lojtarëve të rinj të luajnë në ekipin e parë dhe të fitojnë eksperiencë, ashtu siç bënë edhe me Uejnin Runin, dhe kjo është arsyeja që unë pranova të shkoj te Evertoni”, - tha Shkodran Mustafi, një nga talentet e rinj shqiptarë, por të rritur e edukuar në Europë.
E Hene, 18 Maj 2009