Mutu-doping, episodi II

Sulmuesi rumun i Fiorentinas, Adrian Mutu, ka rezultuar pozitiv për një simulant të ndaluar, pas ndeshjes kundër Barit në Serie A, më herët këtë muaj, ka njoftuar Komiteti Olimpik Italian (CONI), të enjten. Mutu u testua pozitiv për sibutramine – medikament i cili përdoret për të luftuar trashësinë – pas fitores 2-1 ndaj Barit ku kishte shënuar, theksoi Coni. Ndërsa, sipas agjencisë italiane te lajmeve Ansa, Mutu dhe tre futbollistë të tjerë ishin testuar pas ndeshjes së 10 janarit në Firencë.
31-vjeçari, i cili rrezikon dënim prej një deri katër vjet, tashmë përballet me probleme jashtë fushës, të cilat po ashtu lidhjen me përdorim të mëparshëm të dopingut. Mutu ishte përjashtuar nga Chelsea pas testit pozitiv për kokainë më 2004, pak kohë pas transferimit në klubin nga Premierliga. Ai shërbeu dënim prej shtatë muaj për përdorimin e substancës së ndaluar.
Gjykata arbitrare e Sportit, vitin e kaluar përkrahu gjobën prej 17.17 milionë euro për Mutun të shqiptuar nga FIFA si dënim për shkeljen e kontratës së tij me Chelsean. Sulmuesi kishte thënë se nuk është në gjendje të paguajë gjobën, por ka propozuar të bëjë një donacion për bamirësi, në vend të saj. Rezultati i testit të fundit pozitiv është goditje e rëndë për Fiorentinën që mund ta suspendojë futbollistin, njëri prej yjeve më të mëdhenj në ekip së bashku me sulmuesin Alberto Gilardino. Mutu erdhi në Fiorentinë më 2006, pas një viti e gjysmë të kaluar në Juventus dhe këtë sezon është paraqitur në 11 ndeshje në Serie A dhe gjashtë takime në Ligën e Kampionëve. Ai shënoi katër dhe tre gola, në secilën garë respektivisht.
Ndërsa, menaxheri i sulmuesit të Fiorentinës, Adrian Mutu ka theksuar se klienti i tij do të përfundojë karrierën nëse dënohet pas testit të dytë pozitiv për doping. “Nëse konfirmohet rezultati, atëherë Adrian do të përshëndetet nga karriera e tij si futbollist”, tha Gigi Becali për televizionin rumun GspTV. Në ndërkohë, drejtori sportiv Pantaleo Corvino të enjten ishte në Milano ku qëndroi për çështje të transferimeve, ndërsa pasi ishte informuar nga disa kolegë për lajmin se Mutu është testuar pozitiv për doping, kishte reaguar në habi “Çka po flisni?”, para se të largohej nga vendi.