Isa afër Kosovës (V)

Kosova e Vushtrrisë, në stinorin pranveror, pritet që të udhëhiqet nga trajneri i njohur kosovar, Isa Sadriu, i cili aktualisht e udhëheq klubin e Sharrit, i cili garon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
Këtë mundësi nuk e kanë përjashtuar as drejtuesit e klubit bardh e kaltër. Nënkryetari i Kosovës (V), Basri Asllani, tha se Besnik Kollari, sipas të gjitha gjasave nuk do ta pranojë ofertën, për ta udhëhequr ekipin vushtrrias, andaj kategorikisht nuk e përjashtoi mundësinë që kjo ofertë brenda pak ditëve t’i bëhet Isa Sadriut.
“Absolutisht nuk e përjashtoj mundësinë që Isa Sadriu të emërohet kryetrajneri i klubit. Besnik Kollari po heziton ta marrë këtë detyrë, dhe duke u bazuar në situatën financiare në të cilën gjendet Kosova e Vushtrrisë. Kollari, edhe në ditët në vijim, vështirë se do ta pranojë këtë detyrë. Ne shpejt do ta mbajmë një mbledhje, dhe do të vendosim për këtë çështje”, deklaroi Asllani për Express, të enjten.
Në anën tjetër, as Isa Sadriu nuk e përjashtoi mundësinë ta marrë detyrën e trajnerit të këtij klubi, por me kusht që Kosova (V) të riorganizohet më mirë, gjë e cila Sadriu beson se do të ndodhë.
Ai tha se deri të shtunën gjithçka do të qartësohet rreth shitjes së aksioneve, dhe pas kësaj do të negociojë me zyrtarët e Kosovës (V) rreth marrjes së detyrës të trajnerit.
“Deri më tani i kam pasur disa bisedime me zyrtarët e klubit rreth kësaj çështjeje, por jo të drejtpërdrejta. Njëherë përnjëherë gjasat janë të vogla që ta pranoj postin e trajnerit. Por të shtunën do të dihet rreth shitjes së aksioneve. Atëherë, nëse klubi organizohet, unë nuk e përjashtoj mundësinë që ta pranoj këtë detyrë. Unë besoj se Kosova (V) do të organizohet, pavarësisht se kush do të bëhet trajner”, tha Sadriu për Express.
Për Isa Sadriun Kosova (V) është si shtëpi e tij, sepse edhe në të kaluarën ai e ka drejtuar këtë skuadër. Sadriu tri herë ka qenë trajner i Kosovës (V), por vetëm nga një gjysmëstinori dhe atëherë kur klubi gjendej në situata të palakmueshme. Së fundmi, Sadriu i printe klubit vushtrrias në vitin 2008 dhe më pas pat kaluar tek Besiana. Kurse, në këtë stinor po e udhëheq Sharrin në Ligën e Parë.
Kosova e Vushtrrisë, tash e dhjetë ditë, i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Ekipin po e udhëheq ndihmëstrajneri Rizvan Jetullahu, sepse Besnik Kollari po heziton ta marrë detyrën e trajnerit, sepse klubi është në krizë financiare, me ç’rast nuk po mund të përforcohet me futbollistë, gjë që Kollari kërkon të realizohet. Duhet theksuar se Kosova (V) ia ka dalë t’i mbajë të gjithë futbollistët që bartën fanellën e saj në stinorin vjeshtor, por edhe më gjatë. Kurse e ka rikthyer mesfushorin Naim Hyseni.
Kosova (V) stinorin pranveror e ka përmbyllur duke u radhitur në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, me vetëm 14 pikë të tubuara.