E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muza e Mëmëdheut

Një libër i rrallë me njëqind poetë e njëqind poezi, në njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Një antologji që i ka munguar letërsisë dhe kulturës shqiptare. Titullohet: ‘Muza e Mëmëdheut’, kurse autor i saj është poeti dhe studiuesi Agim Vinca. Botues të këtij libri janë: Shtëpia botuese “Uegen” nga Tirana dhe “Artini” nga Prishtina.

Në të janë përfshirë poezi të njëqind poetëve shqiptarë kushtuar Atdheut, që nga De Rada, Naimi, Serembe, Dara i Ri, Skiroi, Doçi, Shiroka, Çajupi, Mjeda, Fishta, Asdreni, Gjeçovi, Gurakuqi, Prenushi, Noli, Poradeci, Migjeni e deri te poetët bashkëkohorë nga tërë hapësira shqiptare. Libri hapet me poemën madhore ‘O moj Shqypni’ të Pashko Vasës dhe mbyllet me poezinë ‘Atdheu im’ të poeteshës së re nga Saranda Irena Gjoni (e lindur më 1975).

Në parathënien me të cilën hapet libri thuhet se synim i autorit ka qenë të bërit bashkë, në një vend, të poezive më të bukura për Atdheun të shkruara në gjuhën shqipe dhe se ideja për hartimin e këtij libri i ka lindur qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur pamjet e njerëzve që iknin nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ishin të shpeshta në ekranet televizive. “Nuk kisha iluzionin se me këtë vepër do ta ndalja eksodin, por isha i bindur se lexuesve shqiptarë, kudo që janë, do t’u ofroja një buqetë tekstesh të bukura poetike, që sajojnë kënaqësi estetike dhe ringjallin sadopak dashurinë për Atdheun”, thuhet ndër të tjera në parathënien e hartuesit të antologjisë.

Poeti Visar Zhiti, në pasthënien e tij të shkruar apostafat për këtë libër, shkruan: “Kemi ndër duar një copë nga Altari i Atdheut, një antologji poetike, të ideuar dhe qëmtuar me dashuri e përkushtim nga poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe, ligjërues i saj dhe kritik letrar me përvojë, Profesor Agim Vinca”, për të shtuar më tutje: “Ditën kur themeluesi i shtetit modern shqiptar Ismail Qemali do të ngrinte në Vlorë Flamurin Kombëtar dhe Shqipëria do të shpallej e pavarur pas shekujsh robërie, do të mbërrinte nga Kosova, hipur mbi një nga kuajt e historisë, luftëtari dhe strategu Isa Boletini. Leshrat e tij dhe jelet e kalit ishin të përzhitura nga baroti. Ra më gjunjë emblematikisht dhe puthi Flamurin. Edhe kjo antologji është si një lloj rënieje më gjunjë, gjithë hijeshi e krenari, para altarit të Atdheut nën flatrat e shqiponjës metaforike. Dhe duhet të besojmë se atë që zgjodhi këto poezi, pse jo, e zgjodhi Atdheu të na i sillte nga andej”.

Ndërkaq, redaktori i librit, shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi, shkruan: “Nuk e prisja që me një temë të tillë të dilte një vepër kaq e bukur dhe plot vlera. Në tërësi tingëllon si një këngë e përbashkët gjithëshqiptare apo si një baladë polifonike. Edhe parathënia është në nivelin e antologjisë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›