E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzakajt e Beratit, zotërit që themeluan Voskopojën

Në dokumentet historike, familja e madhe fisnike e Muzakajve përmendet qysh në vitin 1081. Kjo familje e sundoi Beratin në shekujt XIII, XIV e XV. Sundimi i Principatës së Muzakajve ndahet në dy periudha. Periudha e parë lidhet me vitet 1286-1343 dhe periudha e dytë me vitet 1350-1417. Për origjinën e hershme të Muzakajve nuk ka ndonjë të dhënë të saktë. Dy autorë francezë, Pukevili dhe Dezerti, por edhe albanologu kroat Milan Shuflai, që i kundërshton dy të parët, përmendin zonat përreth qendrës së principatës së Beratit. Ajo që deri më sot është e vërtetë e dokumentuar dhe e pakundërshtueshme dhe që hedh dritë mbi origjinën e tyre është fakti se pushteti politik dhe administrativ i Muzakajve ka pasur si qendër Beratin, ndaj edhe në të gjitha studimet quhen “Muzakajt e Beratit”. Ne dokumentet historike thuhet se njëri prej Muzakajve bëntë pjesë në rrethin e ushtarakëve të perandorit bizantin Aleksi I, Komnen. Pas vitit 1274, Muzakajt dalin vazhdimisht në burimet historike. Dy figurat me të shquara të familjes gjatë shekujve XIII-XIV ishin Gjoni dhe Andrea. Në vitet 1279-1280 ata do të luajnë rolin e drejtuesit të feudalëve shqiptarë në luftë kundër anzhuinëve të Napolit. Gjatë luftimeve, të zhvilluara diku pranë Durrësit, Gjon Muzaka kapet rob dhe burgoset në kështjellen e Brindizit. Në shekullin XIII, zotërimet e tyre shtriheshin në Myzeqe, ndërsa më vonë feudi Muzakaj u shtri edhe në Selenicë, Tomoricë, Korçë, Sovjan, Skrapar, Opar, Kostur, etj. Me këtë derë u shkrinë edhe Matreget e Karavastasë. Pushtetin e tyre politik dhe administrativ Muzakajt e shtrinë kryesisht në Muzaki (Myzeqe) dhe në Toskëri, me qendër Beratin, i cili ishte dhe qyteti më i madh i fortifikuar i Shqipërisë.

Berati që dikur pat qenë qendër administrative dhe ushtarake e Despotatit, në vitin 1308 përfshiu në territoret e veta edhe qytetin e Janinës dhe më gjerë. Në këtë kohë, perandori bizantin Androniku II, Paleologu, pati emëruar si qeveritar në Berat Sevastin Skurrën (1308-1336). Kulmin e lulëzimit të formacionit të tyre shtetëror Muzakajt e arritën në kohën e sundimit të despotit Andrea i 2-të Muzaka (1335-1372), i cili para vitit 1335 mori titullin “despot”, i cili në shkallën e hierarkisë bizantine ishte i dyti pas atij të perandorit. Despoti Muzaka gjatë viteve 1335-1341 ishte në krye të lëvizjeve antibizantine në Arbëri. Më 1336-ën njeh për kryezot mbretin, Robert Anzhu të Napolit, i cili nga ana e vet ia pranoi titujt, trashëgimet dhe gradat dhënë Andreas së 2-të Muzaka prej perandorit të Bizantit, por me kusht të lënies peng në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin djalë të tij. Në kohën e despotit Andrea Muzaka, duke e parë Voskopojën si një pikë startegjike të ndodhur në mes të rrugëve që çojnë në Adriatik, Selanik dhe Stamboll, Petro Muzaka themeloi qytetin e Voskopojës, i cili filloi të rritej dhe lulëzonte për të ardhur në vitin 1782 të shek. XVIII vit, kur Voskopoja do të kishte rreth 40 mijë banorë ardhur nga Korça, Kolonja, komuniteti aromun, por edhe nga qyteti i Beratit, banorët e të cilit e konsideronin Voskopojën si qytetin e tyre të dytë. Duke ecur në këto gjurmë, konsulli austriak, Johan George Von Han (1847), e vendoste themelimin e qytetit në vitin 1338, nga Petro i shtëpisë së madhe të Muzakajve (Historia e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar, fq. 55 Tiranë, 2003).

Dinastia e Muzakajve

Pas vitit 1336, një degë të familjes fisnike Muzaka e ndeshim të vendosur në zonën greke të Peloponezit, ku sot ndodhet fshati me emrin Muzaki, në perëndim të Kalamatës dhe Muzakio, në verilindje të Pirgosit. Më 1370-ën Kosturi bënte pjesë në Despotatin e Epirit. Pinjollët Junt dhe Teodori i 2-të Muzaka morën pjesë me trupat e tyre në Betejën e Kosovës kundër pushtuesve osmanë, më 1389-ën. Teodor Koron Muzaka dhe Gjin Muzaka morën pjesë në Lidhjen e Lezhës, më 1444-ën. Gjin Muzaka ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Pas vitit 1479 Muzakajt u vendosën kryesisht në territoret e Mbretërisë së Napolit (në Pulje).

Emanuel Polito në librin “I Musachi Di Berat” (Muazakajt e Beratit,fq. 8), libër që i referohet Don Kostandin Muzaka thotë: “Andrea Muzaka I (1280-1313), i cili gjatë sundimit të Anxoinëve (Angioini) ishte emëruar si marshall i Arbërve, nga mbreti i Napolit, Karli I.”

Kryeqendra nga ku sundonin Muzakajt ishte qyteti i shumëshkëlqyer i Beratit, i rrethuar nga fushat e e mëdha, të cilat morën si emër mbiemrin e sundimtarëve të tyre Musachia (Myzeqe).

Pas vdekjes së Andreas I Muzaka, në krye erdhi biri i tij, Teodori I, i mbiquajtur Kishetizi, i cili pati dy djem: Mentulin, kontin e Klisanisë dhe Andrean II, (1319-1372), mareshall, despot i Shqipërisë dhe zot i Kosturit.

Me Andrean e 2-të, Muzakajt e shtrinë pushtetin edhe në fushën e Korçës deri në Kostur. Në këtë qytet Andrea dhe bijtë e tij, Stoja e Theodhori, ngritën në vitin 1370 kishën e Shën Athanasit, në të cilën gjendet sot ky mbishkrim: “Të ndërtuar nga themelet dhe të pikturuar nga zotërit shumë fisnikë Stoje dhe Theodhor Muzaka”. Andrea Muzaka I, mori nga Karli I Anzhu titullin: “Marshall i Mbretërisë së Arbërisë”, d.m.th mëkëmbës i Mbretit të Napolit në Shqipëri. Ndërsa, perandori bizantin Androniku II Paleolog i akordoi atij titullin e lartë të despotit (princit). Me këtë pozitë politike dhe duke e ndjerë veten të fuqishëm, princi Andrea Muzaka iu vu punës për t’u shkëputur nga fuqitë e huaja dhe për të krijuar principatën e tij. Kryengritja e vitit 1335 që organizoi në Toskëri dështoi dhe ai vetë u strehua në Durrës tek anzhuinët.

Muzakajt kundër pushtuesve serbë

Në vitet 1346-1355 në Shqipëri vendoset pushteti serb. Por, diku rreth vitit 1350, despoti Andrea ia merr me luftë Beratin, Jovan Komnenit, i cili thërret për ndihmë në vitin 1355 kunatin e tij perandorin serb, Stefan Dushanin. Trupat serbe do të nisin marshimin drejt Beratit. Fushata e tyre dështoi, sepse gjatë kalimit te Devollit, Stefan Dushani vdes dhe bashkë me të, merr të tapjetën edhe perandoria e tij: “sllavo-bizantine-shqiptare”. Një vit më vonë, pasardhësi i Stefanit, Uroshi, organizoi fushatën e dytë serbe, për të marrë nën kontroll Beratin. Nga një shënim historik për këtë fushatë thuhet: “Serbët erdhën nga Tomorica, duke sulmuar Beratin me egërsi, i varnin njerëzit në të dyja anët e rrugës jashtë kalasë”. Ndërkohë, pasi dogjën lagjet e jashtme të qytetit dhe nuk e morën dot kalanë, serbët u larguan pa arritur qëllimin, duke lënë pas vetëm “tokë të djegur”. Koha i krijoi mundësi Andrea Muzakës që të zgjeronte principatën e tij. Në vitin 1365 ai mori edhe Vlorën, duke u bërë zotërues i territoreve Durrës-Ohër-Kostur-Himarë. Këto vende ai i mori duke luftuar me serbët, të cilët i kishte armiqtë e tij tradicionalë. Në vitin 1365, Andrea theu Jovan Asen Komnenin, ndërs në aleancë me Balshajt mundi mbretin serb, Vukashinin. Pak kohë më vonë despoti Andrea goditi edhe të birin e tij, Mark Krajleviçin. Pas kësaj fitoreje të bujshme, perandori bizantin Joani V.Paleolog, i rinjohu princit shqiptar titullin e despotit dhe i dërgoi si dhuratë stemën perandorake bizantine, të përbërë nga shqiponja me dy krerë dhe me një yll gjashtëcepësh në krye.

Despoti Andrea Muzaka e forcoi sundimin e tij edhe nëpërmjet lidhjeve martesore dhe miqësore me familjet feudale të fuqishme si: Zenebishet, Arianitet, Balshaj dhe me të tjera familje fisnike me pozite më të vogël. Me zgjuarsi ai veproi kur martoi të bijën, Komnenen (Komiten) me Balshën e dytë, njeriun që bashkoi nën pushtetin e tij territoret shqiptare nga Tivari dhe Krivareka në veri e deri në vijën Himarë-Kostur në jug. Nga kjo martesë Balsha II, mori si prikë dy pika strategjike: Vlorën dhe Kaninën. Pas vdekjes së despotit Andrea, zotërimet e Muzakajve u ndanë midis tre djemve të tij: Stoja mori Kosturin me rrethinën, Theodhori mori Beratin dhe Myzeqenë, ndërsa Gjini mori pjesën tjetër të shtetit. Në qershor të vitit 1389, Theodhor Muzaka me trupat e tij, të rekrutuar në Berat dhe Myzeqe, mori pjesë në betejën e Fushë-Kosovës, ku mbeti i vrarë prej turqve. Kjo ishte humbja e dytë tragjike për të, sepse katër vjet më parë në Saver (Lushnje) ai kishte përjetuar humbjen dhe vdekjen e kunatit të tij, Balshës së 2-të.

Muzakajt me Skënderbeun, kundër turqve

Në vitin 1438, mbas kryengritjes së Arianitëve, turqit sulmuan Beratin, kryeqytetin e Muzakisë, por ai i qëndroi rrethimit dhe komandanti turk Tuhran Pasha e la Shqipërinë, mbas shkatërrimit të vendit dhe pas maskrimit të popullatës. Që nga kjo kohë Muzakajt, ashtu si zotërinj të tjerë shqiptarë, u pajtuan me Sulltanin dhe shumë prej tyre u kthyen në myslimanë, duke bërë karrierë në klasat sunduese turke. Njëri prej muzakajve mori emrin Jakup Bej dhe në vitet ’30 të shek. XV u bë Sanxhakbej i Sanxhakut Shqiptar. Në vitin 1443, Muzakajt do të marrin pjesë në kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë, nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Mbas humbjes që pësuan shqiptarët nga turqit pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468, Gjin Muzaka, pjesëmarrës i Lidhjes së Lezhës, vazhdoi së bashku me princër të tjerë shqiptarë të luftonte edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Gjon Muzaka vazhdoi luftën pa përfilluar përpjekjet e Sulltan Mehmetit II, për ta bërë të hiqte dorë nëpërmjet premtimeve dhe dhuratave.

Mbas rënies në duart të turqve të fortesave të fundit shqiptare, shumë familje të kësaj toke gjetën strehë në Itali. Edhe Gjon Muzaka emigroi në Itali, në Napoli, ku shkroi më 1510-ën “Historia e gjenealogja e shtëpisë së Muzakajve”, të cilit i referohet edhe Emanuel Polito, në librin “I Musachi di Berat” (Muazakajt e Beratit). Muzakajt u stabilizuan në krahina të ndryshme të Italisë, midis të cilave, në Venecia gjejmë Kostandin Muzaka, që thuhet se është pinjoll i kësaj dere.

Sipas Gjon Muzakës në librin “I Musachi di Berat”, fq. 74, “Andrea Muzaka mbante titullin despot dhe qyteti i Beligradit (Beratit) është kryeqyteti i Muzakisë (Muzeqesë) me të gjithë Muzakinë. Kufiri i kësaj krahine fillon nga fshati Karakua (Kavaja e sotme) kalonte nëpër fshatin Xhiosit (Muriqani i sotëm) dhe nga ky tek ai i Bastit (Bishqëmi i sotëm), në krahinën e Selenicës, zona që përfshinte pjesën midis Ballshit dhe Vlorës, deri në breg të detit, ku gjenden shumë fshatra, krahina e Tomoricës, Skraparit, krahina e Devollit të madh (zonë në lindje të Korçës), qytetin e Kosturit dhe ngulini mirë sytë, aty është qyteti i quajtur Voskop, Voskopoja”, fq.76.

Themeluesit e Voskopojës

Voskopoja duhet të jetë themeluar rreth vitit 1300, mbasi në shënimet e kodikut të saj, më 1630-ën, kur dhe ngrihet kisha e Shën Prodhonit, thuhet se qyteti kishte një moshë 250-300-vjeçare. Por ekzaktësisht, vitin e themelimit të Voskopojës na e jep konsulli austriak J. G. V. Han, i cili thot se i qyteti Voskopojës i përket vitit 1338 dhe është themeluar nga Petro i shtëpisë së madhe të Muzakajve.

Voskopoja ishte ndërtuar mbi shtatë kodra që përshkoheshin nga tre lumenj. Këto kushte të favorshme i dhanë shkas një zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe arsimor të mbarë. Qyteti i lulëzuar i Voskopojës është shkatërruar në luftën e parë ruso-turke në vitin 1767-1774.

“Më 1767-ën, Patrikana Ekumenike e Stambollit, që kishte përkrahjen e Sulltanit, ia hoqi titullin asaj të Ohrit edhe e futi nën autoritetin e vet si një kryepeshkopatë. Pak më vonë, gjatë luftës ruso-turke, Voskopoja u pa ndoshta si përkrahëse e Rusisë, prandaj u sulmua disa herë, u plaçkit dhe u dogj. Kështu, ca nga ca, e humbi shkëlqimin e dikurshëm, duke rënë në nivelin e një fshati. Shumica e popullsisë së saj u largua”.

Prof. Sulë Dedej shkruan se, në mesjetë arsimi i zhvilluar në gjuhë të huaj u bë realitet në trojet e banuara nga shqiptarët, për arsye të kushteve historike të robërisë shumëshekullore. Pavarësisht nga përmbajtja dhe synimet, ai pohon një gjë të vërtetë, se nëpërmjet këtij lloj arsimimi populli ynë është mësuar për një kohë relativisht të gjatë dhe prej këtej kanë dalë atdhetarë, të cilët kanë punuar për çështje kombëtare.

Arsimi në gjuhën greke është më i hershmi që dokumentohet të jetë zhvilluar në trojet e banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, sidomos kur greqishtja u imponua në Shqipëri si gjuhë zyrtare e shkruar. Duke trajtuar këtë problem, Ilo Mitkë Qafëzezi ka nënvizuar: “Doemos dhe kjo është aq e vjetër sa dhe kulturat e huaja, me të cilat Shqipëria u vesh, duke marrë mësime në skolinë peripatetike të pedagogut më të madh të botës, Aristotelit, më 350 Para Krishtit, përtej mëmëdheut, apo në Shqipëri në skoli të madhe elenishte të Apolonisë… më 40 para Krishtit, së bashku me Kajo Jul Qezar Oktavianin…”

Si qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit në gjuhën greke ndër shqipëtarë ka qenë Janina. Shkolla më e vjetër greqishte e atij qyteti që njihet e dokumentuar është shkolla e manastirit të Spanjot, në ishullin e Janinës, e ngritur në vitin 1206 prej themeluesit të despotit të Epirit, Mihali I, Parë Engjëlli.

Pukevili, duke folur për qytetin e Janinës, ndër të tjera, ka shkruar se në gjendjen e prapambetjes së madhe ku ndodhej Greqia, Janina mund të krenohej se kishte kultivuar në heshtje dije bashkëkohore, duke nënvizuar se një kabinet fizike, disa sfera, harta, disa instrumenta kimike, një bibliotekë me 1500 vëllime, që gjendeshin në shkollën e Janinës së asaj kohe, mjaftonin për t’i nisur nxënësit drejt njohjes së shkencës. Shkolla greke ndeshim edhe në qytete të tjera, si: më 1728-ën në Korçë, më 1741-shin në Vlorë, më 1736-ën në Elbasan, 1860 në Qestorat, në Berat etj. Shkollat me alfabet grek e arritën nivelin më të lartë kulturor-pedagogjik në Voskopojë.

Lidhjet e tregtarëve voskopojarë për shitblerje mallrash shtriheshin përveçse tregut të brendshëm edhe në Venedik, Trieste, Vjenë, Budapest, Poloni e deri në Gjermani e gjetkë. Sipas Llambridhit, shkolla e Voskopojës është ngritur aty nga gjysma e dytë e shek. XVII prej tregtarëve vopskopojarë nga Venediku e Austria dhe prej rrufetërve të Voskopojës. Rektori i parë i akademisë ka qenë Sevast Leontiadhi nga Kosturi, i cili ishte lauruar në Universitetin e Padovës në Itali. Me fjalorin trigjuhësh shqip-greqisht-vllahisht, i cili mori emrin “Leksiku Ballkanik”, Kavalioti është i pari nismëtar në shkollën e Voskopojës, ku shumica e mësuesve ishin shqiptarë. Brenda mureve të saj, pa ndryshuar karakterin helenistik të Akademisë së Re, drejtor i së cilës ai ishte në vitin 1750, e përdori dorëshkrimin e fjalorit të vet shumë vjet para se të botonte, që nxënësit shqiptarë nga Voskopoja, Korça etj., ta mësonin më me lehtësi greqishten.

Pater Kurilla, në veprën e tij “Voskopoja dhe Akademia” na jep 26 emra akademikësh të Voskopojës, që ishin “konceptonjës të idhesë së punimit të shqipes”.

Ky fakt bën të mendosh se fenomeni i futjes së shqipes në shkollën e Voskopojës flet për ekzistencën e një persioni nga poshtë të elementëve atdhetarë, përfaqësues të një populli, i cili fliste gjuhën shqipe në jetën e përditshme dhe dëshironte që gjuha e vet të mësohej nga fëmijët e tij në shkollë.

Shkolla e Voskopojës ishte me nivel të lartë arsimor e pedagogjik për kohën. Zhvillimi dhe lulëzimi i arsimit në Voskopojë nuk ishte një fenomen i rastit dhe i shkëputur. Ai ishte rezultat i zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik dhe i asaj klime të përshtatshme që krijonte vetë populli ynë mësimdashës në këtë krahinë, i cili nuk kursente për arsimin e fëmijëve as asprat, groshët dhe lirat, por as arat, vreshtat dhe dyqanet, pavarësisht se ky arsim, për kushtet e robërisë së gjatë, u zhvillua në gjuhën greke dhe jo për qëllime kombëtare, rrjedhojë kjo e politikës arsimore të pushtetit otoman që vinte fenë mbi kombësinë.

Në vitin 1710 u ngrit një shtypshkronjë dhe një bibliotekë. Biblioteka e Akademisë së re të Voskopojës ishte e pasur me dorëshkrime e shtypshkrime të dhuruara nga voskopojarët ose me botime filozofike, teologjike, didaskalike që u botuan nga shtypshkronjat e asaj qyteze. Bibloteka që numëronte atëherë mbi 700 volume librash të rrallë, përveç dorëshkrimeve, u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtritë ndërluftuese. Sistemi pedagogjik praktik i Voskopojës u përhap edhe në Korçë, Vithkuq, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Janinë e gjetkë, duke vazhduar deri rreth viteve 1802-1822. Theodhor Kavalioti që punoi në vitin 1743 si mësues në shkollën e Voskopojës, më 1746-ën emërohet dejtor i shkollës dhe e ngriti atë në rangun e një shkolle të mesme.

Kostandin Berati, hartues i fjalorit shqip

Atdhetari Kostë (Kostandin) Berati, ishte një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, pedagog dhe humanist, i cili veproi në kohën e sundimit të egër otoman, që kapërceu pengesat e pedagogjisë mesjetare dhe dha një ndihmesë të madhe për përgatitjen e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sot për sot, me sa dimë, ne nuk kemi burime të tjera për jetën e Kostandin Beratit, përveç veprës së pabotuar të Ilo Mitkë Qafëzezit, e cila ka nevojë të interpretohet. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një monografi, që ndodhet në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me titullin: “Punonjësit e gjuhës shqipe në qindvjetin XVIII, Korçë. Ilo Mitkë Qafëzezi: Protopapa Theodhor Nastas Kavalioti, Shkollarku i “Akademisë së Re” të Voskopojës, 1718-1719, Korçë 1951”. Për shekullin XVIII shqiptar, tradita pedagogjike dhe didaktike, e krijuar nga Kostë Berati dhe Theodhor Kavalioti, shënon një kthesë të madhe, një revolucion të vërtetë arsimor, një shpikje novatore, siç është kalimi nëpër shkolla nga mësimi i imponuar i greqishtes në mësimin e gjuhës amëtare paralel dhe shkencore-pedagogjike të këtyre dy korifejve, që i paraprinë dhe i hapën rrugë epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Dorëshkrimi i Kosta Beratit dëshmon se ai ka qenë njeri me kulturë të gjerë, njohës i dokumenteve më të hershme të shqipes, madje ka qenë edhe përkthyes dhe poet. Prof. Bedri Dedja, në studimin për Kosta Beratin shkruan se, “nuk mund të ishte ndryshe në këtë trevë aq pjellore poetike të Beratit të shek. XVIII.”

Ilo M. Qafëzezi në monografinë e tij kumton se, “ndër shkruajtësit e gjuhës shqipe të qindvitit XVIII, Theodhor Kavalioti… si shokë bashkëkohëtarë, të kohësisë kur shkruan ky (1760-1770) ka në radhë të parë Kostë Ieremonaku Beratin,” Pra, si bashkëpunëtor i parë përmendet Kostë Berati dhe pastaj vijnë emrat e Jul Varibovës, Muhamed Çamit të Konispolit, Theodhor Haxhifilipit të Elbasanit, Dhanil Haxhiut etj. Kostë Berati, ky koleg dhe bashkëpunëtor i parë i Theodhor Kavaliotit, në mos tërësisht, së paku pjesërisht meriton vlerësimet që i janë dhënë rektorit të Akademisë së Voskopojës nga personalitete të shquara të kohës…

Në monografinë e Ilo Mitko Qafëzezit kushtuar Theodhor Kavaliotit, vepra e Kosta Beratit quhet e begatë. Shkrimi dhe alfabeti i Kosta Beratit është shkruar tre vjet përpara se të shkruhej abetarja e Akademisë së Re të Voskopojës. Në veprën e Kosta Beratit gjenden vargjet e para në shqipe të toskërishtes letrare. Alfabeti i Kostandin Beratit ka patur 37 shkronja. Në alfabetin e vet, meqë greqishtja nuk ka ë, nj, sh, zh, etj., shkronjën “ë” e jep në tri lloje: si “i” latine e pëmbysur, si “alfa” me theks nën të, shkronjën “një” e jep me “ni” etj.

Po sipas prof. Bedri Dedja, shkrimi dhe alfabeti i Kosta Beratit ka patur ndikim jo të vogël tek ish-nxënësit e Akademisë së Re të Voskopojës. Në krahasimet e bëra për gjuhën tonë të shek. XVIII, është thënë se, “shkrimet shqipe të Dhaskal Theodor Elbasanit… si vlerë gjuhe kanë shoqe atë të Kostë Beratit.”

Duke gjykuar se sa bukur janë shkruar vargjet e Kostë Beratit në toskërisht, nuk duhet të harrojmë se ato i përkasin kohës midis viteve 1764-1768. Pra, ai ishte edhe një poet i qytetit famëmadh poetik të Beratit. Për këtë arsye, është interesant dhe një përfundim shumë i pjekur i Ilo Mitkë Qafëzezit, i cili ka thënë se, “si vlerë gjuhësore shqipe, në përgjithësi, puna e Kostës është më e madhe dhe më sipërore nga puna shqipe e gjithë bashkëkohësve të tij.”

Bashkëkohës i Kavaliotit, Kosta Berati, ka qenë bashkëpunëtor më i afërt i tij. Në këtë kohë Kosta Berati hapi një shkollë në qyetin e tij në lagjen “Kala” të Beratit. Ilo Mitko Qafëzezi pohon se fjalori i Kostë Beratit është më i pari nga tre kirilistët tanë që pati si pasardhës alfabetin e Dhaskal Todrit dhe Naum Veqilarxhit.

Studiuesit e letërsisë dhe arsimit shqiptar e kanë vlerësuar Kostandin Beratin si një nga pararendësit më të mëdhenj të Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Ai ka qenë një pedagog shumë i shquar i trevës së Beratit dhe gjithë Shqipërisë, me një kulturë shumë përparimtare për shekullin e 18 dhe në kushtet e pushtimit të rëndë otoman, një personalitet me formim europian, një didakt i shkëlqyer, autor i një ose më shumë teksteve shkollore me vlera të padiskutueshme patriotike. Kosta Berati ishte një mesues i palodhur që jetën e tij ua kushoi brezave të rinj të shqiptarëve, një bibliofil, i cili ruajti në bibliotekën e Kalasë së Beratit libra dhe dorëshkrime shumë të çmuara, kodikë etj. Ai qe një pasardhës i gjuhës së njëhsuar letrare, ashtu si edhe Gjon Buzuku, që e nuhati të ardhmen e së folmes toskërishte; qe poet dhe përkthyes i talentuar dhe pse jo edhe një ndër shkrimtarët më të shquar të hershëm shqiptarë për fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›