E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muzetë, pjesë e rëndësishme e turizmit në Gjirokastër. Nga janari janë vizituar nga 60 mijë vizitorë

Muzetë tashmë vlerësohen si elementë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në qytetin e Gjirokastrës. Përgjatë këtij viti Muzeu i Armëve,

Etnografik, Muzeu Kadare, etj. kanë tërhequr një numër në rritje vizitorësh vendas dhe te huaj. Sipas statistikave janë rreth 60 mijë turistë ose 20% më shumë se viti i kaluar të cilët kanë vizituar muzetë e qytetit të gurtë.

“Vizitueshmëria ka qenë rreth 56 mijë vizitorë për muajt janar-shtator ndërsa për tunelin e luftës rreth 8 mijë vizitorë kanë shprehur interes”, u shpreh ciceronia Albana Ismaili.

“Nuk e kishim menduar që Gjirokastra fsheh një vend kaq misterioz nën tokë. Tuneli është i ruajtur mirë dhe jep ndjesinë e një kohe të ngrirë. Më pëlqen mënyra si është shpjeguar çdo gjë dhe bën të kuptosh më mirë historinë”, u shpreh një turiste.

“Ndjesia këtu poshtë është e veçantë. E gjithë kjo hapësirë të bën të mendosh për frikën dhe pasigurinë e asaj kohe”, tha një tjetër turist.

Turistët që vizitojnë muzetë në Gjirokastër janë nga qytete të ndryshme të vendit por edhe shtete si Gjermania, Italia, Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj. duke  u njohur me historinë dhe traditat e qytetit të gurtë.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›