Muzeu Etnografik në Sarandë, rritet interesi i turistëve për traditën dhe historinë e zonës

Muzeu Etnografik në Bashkinë e Sarandës po mirëpret gjatë kësaj periudhe një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj, të cilët janë të interesuar të njihen nga afër me traditën, kulturën dhe historinë e zonës. Fluksi i vizitorëve është rritur ndjeshëm, duke e kthyer muzeun në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në qytet.
“Po bëhet një sezon gjithvjeçar dhe kemi prurje të larta. Kemi një listë të madhe të krocereve që do të vijnë të vizitojnë muzeun. Kemi ende bashkëpunimin me shkollat”, u shpreh specialistja e muzeut, Elda Koçi.
Pritshmëritë për këtë sezon janë të larta, ndërsa institucionet kulturore në Bashkinë e Sarandës synojnë të rrisin më tej numrin e vizitorëve përmes promovimit të vazhdueshëm të muzeut dhe pasurive kulturore të zonës. Rritja e interesit për turizmin kulturor shihet si një tregues pozitiv për zhvillimin e sektorit turistik në qytet.
“Themi se do të ketë një lëvizje edhe më të madhe nga vjet dhe pritshmëritë janë nga e gjithë bota”, tha ajo.
Vizitorët kanë mundësi të njihen me ekspozita të ndryshme që pasqyrojnë mënyrën e jetesës së banorëve ndër vite, veshjet tradicionale, objektet e përdorimit të përditshëm si dhe elementë të trashëgimisë kulturore të zonës së Sarandës. Këto ekspozita po tërheqin vëmendjen e turistëve dhe po kontribuojnë në promovimin e identitetit kulturor lokal.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/