Muzeu i Minatorit, një nga atraksionet më të preferuara në Memaliaj

Muzeu i Minatorit në Memaliaj, i çelur prej gati një viti, është kthyer në një atraksion të rëndësishëm për t’u vizituar nga turistët, të cilët janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së qytetit të minatorëve.
Në stendat e muzeut ekspozohen objekte që u përkasin periudhave të ndryshme përgjatë viteve të punës në minierë.
Sipas përfaqësuesve të muzeut, që nga muaji janar e deri më tani, muzeu është vizituar nga mbi 700 turistë vendas dhe të huaj, dhe interesi është në rritje.
“Këtë vit kanë filluar guidat turistike që nga muaji mars. Muzeu i Minatorit në Memaliaj sa vjen e pasurohet me dokumente dhe objekte të ndryshme muzeale. Ka një interes të shtuar nga qytetarët, të cilët duke parë këto lloje objektesh, mundohen të dhurojnë edhe sendet e tyre,” thotë Edmond Sala, përgjegjës i Muzeut “Minatori”.
Gjithashtu në Memaliaj është në proces edhe hapja e Muzeut Etnografik ose të traditës, i cili pritet t’i shtohet atraksioneve turistike të këtij qyteti.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/