E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti i KE – Ekonomia shqiptare do rritet 3,6% në 2025, para çdo vendi kandidat në rajon. Tkurret ekonomia e BE

Komisioni Europian ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të BE-së në vitin 2025, ndërsa për Shqipërinë pret të shënojë rritjen më të madhe mes vendeve kandidate të rajonit.

Në raportin e Pranverës 2025, Komisioni nënvizoi se tensionet tregtare dhe pasiguritë gjeopolitike rrezikojnë ta dëmtojnë ekonominë tashmë të dobët të bllokut europian. Për vitin në vijim, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i BE-së parashikohet të zgjerohet 1,1 për qind nga 1,5 për qind që ishte parashikuar në raportin e muajit nëntor.

Arsyeja kryesore për këtë zhvlerësim citohet ekonomia gjermane, më e madhja e eurozonës, e cila preket më shumë nga tensionet tregtare që ka shkaktuar administrata amerikane me presidentin Donald Trump, duke ndryshuar taksat mbi produktet me prejardhje nga Europa. Prandaj, projeksioni për Gjermaninë për vitin 2025 sheh vetëm stanjacion ose 0% rritje, që mund të përmirësohet në 2026-ën me 1,1 për qind. Edhe ekonomitë italiane dhe franceze parashikohet të rriten përkatësisht 0,6 për qind dhe 0,7 për qind në 2025-ën.

“BE-ja ekonomia më e hapur e botës, po e ndien trysninë. Rritja globale më e ulët pashmangshmërisht do të prekë industritë e BE-së të orientuara drejt eksporteve,” tha Maarten Verwey, drejtori i Përgjithshëm për çështjet ekonomike dhe financiare.

KE-ja pret rritje të investimeve në Shqipëri, zgjerimin e ekonomisë me 3,6%

Në raportin e Pranverës 2025 të përpiluar nga Komisioni Europian, ekonomia shqiptare theksohet se do të vazhdojë të përparojë njëtrajtshmërisht deri pozitivisht përgjatë vitit.

Për 2025-ën, Shqipëria parashikohet të rritet me 3,6 për qind dhe në vitin 2026 me 3,5 për qind me ndihmën e të ardhurave nga turizmi, shërbimet dhe eksportet, të cilat mund të rriten pas dy viteve në vështirësi. Edhe inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3 për qind vitin tjetër, ndërsa deficit financiar do të zgjerohet para se të bjerë në 2 për qind të PBB-së në 2026.

“Rritja e konsumit publik parashikohet të ngadalësohet teksa vjen duke u zbehur impakti i reformës së pagave, ndërsa konsumi privat dhe rritja reale e pagave, si dhe përmirësimet në tregun e punës, do të mbeten të dukshme në periudhën në fjalë. Rritja e investimeve ndikohet nga kushtet e favorshme të financimit dhe zbatimit të Agjendës së Reformës së BE-së dhe Planit të Rritjes.

Përgjatë 2025–2026 pritet të rritet më tej norma e punësimit, edhe pse me një ritëm më të moderuar sesa rritja e vitit 2024. Norma e papunësisë pritet të mbetet e qëndrueshme, ndërsa rrogat pritet të rriten,” thuhet në raportin e Komisionit Europian.

Nga vendet e rajonit që janë kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, ekonomia e Serbisë në vitin 2026 parashikohet të rritet më shumë, 3,8 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut 3,0 për qind në vitin 2025 dhe 3,1 për qind në vitin 2026.

Parashikimi i plotë i Komisionit Europian për ekonominë e Shqipërisë

Pas një periudhe rritjeje të fortë ekonomike në vitet e fundit, ekonomia e Shqipërisë pritet që të vazhdojë të zgjerohet, megjithëse me një ritëm më të moderuar. Raporti i Komisionit Evropian parashikon një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026, kryesisht e nxitur nga një kërkesë e fortë e brendshme. Sektorët kyç, si turizmi dhe eksportet e shërbimeve, mbeten kontribues të rëndësishëm, ndërsa eksportet e mallrave pritet të rimëkëmben pas dy viteve sfiduese. Inflacioni, i cili ra ndjeshëm në vitin 2024, parashikohet të rikthehet gradualisht drejt objektivit të bankës qendrore prej 3% deri në vitin 2026.

Deficiti fiskal pritet të zgjerohet fillimisht, por më pas të bjerë nën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2026. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e ekonomisë.

Aktiviteti ekonomik pritet të mbetet i fortë: rritja ekonomike në Shqipëri arriti në 4% në vitin 2024, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, performanca e mirë e turizmit dhe aktiviteti i qëndrueshëm në fushën e ndërtimit. Rritja e konsumit të familjeve u mbështet nga rritja e pagave reale në kushte të ngadalësimit të inflacionit dhe përshpejtimi i rritjes së kredive. Konsumi publik u rrit ndjeshëm falë fazës së dytë të reformës së pagave në sektorin publik. Krijimi i vendeve të punës në sektorin e shërbimeve mbështeti rritjen e punësimit. Eksportet e shërbimeve u zgjeruan, ndërsa eksportet e mallrave ranë ndjeshëm për shkak të mjedisit të jashtëm të pafavorshëm dhe forcimit të lekut.

Në mënyrë të ngjashme me vitin 2023, shumica e sektorëve ekonomikë regjistruan rritje pozitive, ndërsa bujqësia dhe industria shënuan tkurrje. Për vitet 2025-2026, parashikohet që rritja e PBB-së të ngadalësohet krahasuar me vitet e mëparshme, por të mbetet e qëndrueshme në 3.6% dhe 3.5% përkatësisht. Rritja e konsumit publik pritet të ngadalësohet, ndërsa konsumi privat, i mbështetur nga rritja e pagave reale dhe përmirësimet në tregun e punës, pritet të qëndrojë i fortë gjatë periudhës së parashikimit. Rritja e investimeve mbështetet nga kushtet e favorshme të financimit dhe zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të MSA-së për Reformë dhe Rritje. Eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë zgjerimin, por rritja e turistëve pritet të ngadalësohet krahasuar me ritmet me dy shifra të viteve të mëparshme. Pas nivelit të ulët në vitin 2024, eksportet e mallrave pritet të rikuperohen paksa, pasi sektori i mallrave po pëson ndryshime strukturore dhe efekti i forcimit të valutës zbutet. Deficiti i llogarisë korrente pritet të rritet pak nga niveli historikisht i ulët i regjistruar në 2023, por do të mbetet shumë nën mesataren afatgjatë, duke treguar përmirësime strukturore të nxitura nga rritja e turizmit.

Ky parashikim është i lidhur me rreziqe në ulje, të lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit, si dhe me mungesat në rritje të punëtorëve të kualifikuar, të përkeqësuara nga emigracioni. Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave ndaj partnerëve kryesorë tregtarë në BE, si Italia. Për më tepër, pasiguria globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë në rrjedhën e investimeve të huaja direkte.

Fitimet në punësim pritet të ngadalësohen

Punësimi u rrit në 2024 dhe pritet të vazhdojë të rritet gjatë periudhës 2025-2026, megjithëse me një ritëm më të moderuar. Një rritje e pjesëmarrjes në forcën punëtore pritet të jetë drejtuesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërsa emigracioni i vazhdueshëm pritet të paraqesë një kufizim. Norma e papunësisë pritet të mbetet e qëndrueshme, ndërsa pagat vazhdojnë të rriten.

Rënia e shpejtë e inflacionit në 2024 pritet të ndiqet nga një rritje

Inflacioni ra nga 3.4% në janar 2024, niveli më i lartë i vitit, në 2.1% në Dhjetor, duke sjellë një mesatare vjetore prej 2.2%, nga 4.8% një vit më parë. Kjo rënie u nxit kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe naftës, si dhe nga forcimi i qëndrueshëm i lekut.

Inflacioni i përgjithshëm pa ushqime dhe energji gjithashtu ra në 2024. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë uli dy herë normën e interesit të politikës monetare gjatë vitit 2024, nga 3.25% në 2.75%.

Inflacioni mesatar vjetor pritet të rritet në 2025, i nxitur nga inflacioni më i lartë i importuar, dhe të arrijë objektivin e Bankës Qendrore prej 3% në 2026.

Deficiti fiskal pritet të zgjerohet para se të ngushtohet në 2026

Në 2024, deficiti i përgjithshëm buxhetor u ngushtua në 0.7% të PBB-së, më i ulët se objektivi buxhetor prej 2.3%. Ndërsa të ardhurat performuan mirë, ky rezultat fiskal ishte pjesërisht rezultat i ekzekutimit të dobët të investimeve publike. Deficiti pritet të zgjerohet në 2.4% të PBB-së në 2025, për shkak të shpenzimeve më të larta, veçanërisht shpenzimeve kapitale. Rritja e të ardhurave pritet të mbështetet nga zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave gjatë 2025-2026, e cila fokusohet në përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor. Një raport më i ulët i shpenzimeve ndaj PBB-së (i nxitur nga ulja e shpenzimeve aktuale dhe kapitale) parashikohet të ndihmojë në uljen e deficitit buxhetor në 1.9% të PBB-së në 2026. Bilanci primar pritet të mbetet në suficit, në përputhje me rregullin kombëtar fiskal. Raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së ra nën 55% në 2024, i mbështetur nga bilanci primar pozitiv, rritja nominale e PBB-së dhe forcimi i kursit të këmbimit. Ky raport pritet të ulet më ngadalë në 2025-2026, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së.

Si përfundim, ekonomia shqiptare pritet të mbajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke u mbështetur kryesisht në kërkesën e brendshme dhe sektorin e turizmit.

Përktheu: Klarida Saliu

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›