E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu i Pavarësisë vuan nga fotokopjet

Oliverta Lila

Pjesa më e madhe e dokumentacionit që ekspozohet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë nuk gjendet në origjinal. Një fond prej 5 milionë lekësh të vjetra është akorduar sivjet për pasurimin e tij, por mbetet sërish një shumë e papërfillshme 

Oliverta Lila

Muzeu i Pavarësisë është një destinacion që pakkush e humb kur shkon në Vlorë. Në këto ditë vere, takon veçanërisht emigrantë, por edhe pushues. Godina dykatëshe, në oborrin e së cilës takon portretet në bronz të atyre që krijuan qeverinë e parë, është simbol i datës së shënuar të shpalljes së pavarësisë. Në këtë 100-vjetor, ndoshta duhet të ishte edhe më shumë. Në korridorin e ngushtë që të çon për te shkallët e katit të dytë janë ekspozuar edhe disa nga portretet e firmëtarëve të pavarësisë që piktori Arben Morina ka realizuar me rastin e këtij vjetori. Brendia është një fond me objekte (një pjesë origjinale), materiale fotografike dhe dokumente, në pjesën më të madhe fotokopje. Kjo është një sëmundje që drejtori Agron Shehu ia njeh muzeut që drejton. Ndonëse shprehet se në këta 20 vjet janë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta pasuruar, pak është reflektuar nga moria e dokumentacionit të ri që është zbuluar e herë edhe publikuar gjatë këtyre viteve. Duke nisur që në përpjekjet e rilindësve, çetat e para, manifestimi për çlirimin e Shkodrës, lajmërimi se gjuha shqipe do të jetë gjuha zyrtare e administratës pas shpalljes së Shqipërisë e mosvarme, një maket i shtëpisë ku u mbajt kongresi, një fotografi e madhe e Vlorës në vitin 1912, fotografi e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit para se të zbrisnin në port, për të vazhduar në katin e dytë ku gjenden disa objekte origjinale si karrigia ku është ulur Ismail Qemali, kallamari me shqiponjën e bronztë që ka përdorur(pena gjendet në Muzeun Historik në Tiranë), perdet origjinale të asaj kohe, fermani origjinal përmes së cilit Sulltani emëronte Ismail Qemalin në poste të larta, një fotografi e Ismailit me fëmijët e tij, kutia e duhanit e Isa Boletinit, literaturë pjesë e bibliotekës së Ismail Qemalit etj. Një fond prej 5 milionë lekë të vjetrash është vënë në dispozicion të këtij muzeu për pasurimin me materiale origjinale. Një shumë thuajse e papërfillshme. Ndonëse drejtori Agron Shehu shprehet se janë në përpjekje për të marrë materiale origjinale, shprehet se në pamundësi do të përfundojnë sërish te fotokopjet që në këtë rast nuk përbëjnë një vlerë të shtuar, por një mënyrë për të mbyllur hallin. Nga ana tjetër, drejtori i muzeut shprehet se do të ndërhyhet edhe për rikonstruksionin e godinës si brenda ashtu edhe në fasadë, për ta bërë gati për festën e nëntorit.

Muzeu i Pavaresise ne Vlore (11) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (10) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (9) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (8) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (7) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (6) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (5) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (4) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (3) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (2) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (1) Muzeu i Pavaresise ne Vlore (25)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›