Muzeu i Prishtinës kërkon Akademinë

Edhe pse janë të shtyrë në moshë, e jo shumë aktivë sa i përket punës që bëjnë, Akademia e Shkencave të Kosovës po bëhet me një objekt të ri. Nusja e vjetër po shndërrohet në të re së paku nga ana e pamjes.
Pas disa vjet ankesash, vuajtjesh, pak anëtarëve të kësaj Akademie të Shkencave do t’i marrin për vete dhjetëra metra katrorë. Por çka do të ndodhë me objektin e vjetër të kësaj akademie. Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk është shumë me rëndësi se çka do të ndodhë me objektin, por me rëndësi është që së pari ata të rehatohen dhe zgjerohen.
“Jo, more burrë, kurrfarë vendimi nuk kemi, nuk kemi kurrfarë përcaktimi”, thotë shkurt Zija Bylykbashi, sekretar i Akademisë. Objekti ku për disa vjet ka qëndruar Akademia e Shkencave e Kosovës, është një objekt i ndërtuar qysh në shekullin XIX. Objekti është nga më të rrallët që sot e gjen në Prishtinën e shkatërruar sa i përket anës arkitektonike. Objekti është i rrethuar po ashtu me një hapësirë që lidhet me historinë. Përballë gjendet Xhamia e Madhe dhe Sahat Kulla si dhe në anën e majtë të saj gjendet Hamami i Vjetër i Prishtinës. E gjithë hapësira rrethuese jep shenja që ai objekt duhet t’i takojë një institucioni që lidhet me histori.
Haxhi Mehmetaj, drejtues i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, thotë se ka dërguar një letër në drejtim të Ministrisë së Kulturës, ku ka kërkuar që ky objekt t’u takojë atyre. Po, të njëjtën letër, Mehmetaj thotë se do t’ia dërgojë edhe të parit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Muzeu i Prishtinës gjendet në një objekt i cili u përngjan maketeve arkitektonike prej letre e jo një institucioni që mund të përfaqësojë histori.
“Më së miri do të ishte që të bëhet seli e jona, ku ne do ta prezantonim thesarin që e kemi nga trashëgimia kulturore, qoftë me një ekspozitë ose eksponatet. Jo, pse unë dua, por pse është një objekt i rrallë i shekullit XIX dhe idealja është që t’i kthehet Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut rajonal të Prishtinës”, thotë Mehmetaj. Ndërsa, sipas Mehemtajt, historia e këtij objekti është kjo. Ajo u ka takuar dy familjeve, Domaniku dhe Mirashi. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky objekt, sipas Mehmetajt, ka shërbyer edhe si kinema e qytetit të Prishtinës, ndërsa restaurimi profesional i saj është bërë në vitin 1961.
Burbuqe Deva, udhëheqëse e Departamentit e Trashëgimisë Kulturore brenda MK-së, thotë se ka pranuar një kërkesë, ndërsa sipas saj, Ministria e Kulturës po mundohet të gjejë një zgjidhje, e njëra prej tyre është edhe objekti i shfrytëzuar nga ASHAK-ja.
“Gjithsesi jemi në kërkim të zgjedhjeve, sepse Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës është në gjendje shumë të keqe”, tha Deva për Express.