E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petro Marko: Edhe ndjenjat janë stil

Autori kujton takimin e parë me shkrimtarin Petro Marko, në shtëpinë e tij. Mbi dashurinë, letërsinë, stilin dhe marrëzinë e një shkrimtari.

Dialogët për jetën, famën, femrën, romanin "Qyteti i fundit", ashtu siç i mban mend, Roland Gjoza, dy dekada më pas. Më 27 dhjetor bëhen 18 vjet nga vdekja e Markos

Isha 20 vjeç. Ibrahim Uruçi, kryeredaktori i "Dritës", një burrë i vogël, rrondokop, që tërhiqte tirandat e pantallonave, më thirri në zyrë. Te Petro Marko, vrap, më sill... Po nuk e mora vesh ç'më tha. Ashtu ishte ai, i rrëmbyer, i sertë, nervoz, po kjo më tepër në dukje, se qe babaxhan njeri. E doja, po e kisha dhe frikë.

Nuk e di pse, ndoshta ngaqë i bërtiste Ismail Kadaresë në korridoret e Lidhjes: Më dëgjo mua, se do ta hash... Ismaili me të qeshte më shumë. Pati fatin më të zi: fshesaxhi në qytetin e Tepelenës. Vdiq në poshtërim, i harruar.

Shkova me vrap te Petro Marko. Pallati i verdhë ngjitur me maternitetin. Kati i dytë, dera në të majtë. Dera ishte e hapur: tak, tuk, tak. Kërciste makina daktilografike. Një makinë e vjetër, plaçkë lufte.

Trokita, hyra brenda, ai shtypte me të shpejtë, me cigaren e tretur në cep të buzës. Nuk e ngriti kokën me leshra të zeza kaçurrele. Ezmer, i bukur, i lodhur, i shkyer në gjoks, merrte frymë me zor. Po megjithatë shtypte. Prit, tha i përqendruar në faqen e letrës boje kafe të Kavajës.

Në dhomë s'kishte karrige, vetëm një minder ku qe ulur ai. S'po marr dot frymë, jam mbushur me djersë... S'kam as cigare... ilaçet më janë mbaruar... O djalë, më bëj një shërbim, më bli një paqetë dhe ilaçet, se nuk jam mirë...
Dola, ia bleva me një frymë. E gjeta duke hequr fletën e letrës me atë bisht cigare, atë grimë të shqyer në cepin e buzës. Një gotë ujë, më tha.

Piu një tabletë. Qëndroi një grimë ashtu, pastaj më pa në sy: Po ti? Ke emër, apo je i Paemri (personazh i romanit Qyteti i Fundit) I thashë emrin. S'të njoh. Mos e ke gjë Toli Gjozën, atë infermierin e urgjencës? Po, ai është im atë. Më ka shpëtuar dy herë jetën. Ka dorë të lehtë, më të lehtë se gjithë të tjerët kur bën gjilpërën.

E kam qejf, se fjala e parë që të drejton është: Pjeshka e Tolkës... Po edhe ti më shpëtove me ilaçet që më solle, ta di për nder. Në vend të ilaçeve më tregoi paqetën e cigareve dhe qeshi. Je kursant në gazetë? Nuk e di ç'jam, i thashë. Çfarë shkruan? Poezi.

Fliste shpejt, i hante fjalët. Ja, e shkrova tregimin, s'më doli i keq. Më të dalë është... Dëgjo të tregoj diçka; kur shkruan luaj të marrin, me një fjalë, bindju marrëzisë, në qoftë se e ke, po s'e pate, bëhesh profesionist dhe i ke larë duart me letërsinë. Më pe mua, gati po vdisja, po ç'të bëja, më merr në telefon Braçja: Petro s'kam tregim, më thotë, e dua në drekë, se mbyll gazetën...

U ula, ja këtu ku jam dhe i hyra më kot si duke u tallur... Mbaj vesh, si duke u tallur, se proza e mirë bëhet me marrëzi poeti. Më doli, them se më doli... Ja, lexoje, kursant dhe më thuaj si të duket...

Dhe më thuaj ç'të bëri përshtypje më shumë. Mos është vonë? belbëzova. Nuk është vonë, jo, e njoh Braçen unë, e bën qimen tre... E lexova dhe i thashë; shumë i bukur, ajo që më bëri përshtypje është stili... Bravo, fitove kursant.

Do t'i them Braçes të të mbajë në gazetë. Stili është shkrimtari, pikërisht stili. Ai del, nuk kërkohet, del ashtu nga vetja dhe mos e trazo, mos e prish, pra, djalosh të bëri përshtypje stili. Për këtë jam krenar. Jam vërtet krenar. E ke lexuar Heminguejn? Ai ka stil. E ke lexuar Lorkën?

Ai ka stil. E ke lexuar Kadarenë? Ai ka stil. Më pëlqen shumë. Është shkrimtar i madh. Po ai është shqiptar, e ndërpreva, zakonisht mburren shkrimtarët e huaj.

E ke fjalën për zilinë, djalosh? Ke të drejtë. Po fshati që duket s'do kallauz. Kur erdhi Cuhrai, ai regjisori rus i Baladës së Ushtarit, më kërkoi mua, kishte lexuar me dhjetëra skenarë, po nuk po i mbushej mendja. U takuam. Gjëja e parë që më tha: Ju shkruani ndryshe, më tërhoqët dhe ju lexova deri në fund. Ja, ky është stili.

Historia, sado e bukur që të jetë, nuk bën përshtypje pa stilin. Ramizeja, e di historinë e Ramize Gjebresë, u pushkatua se tha që dashuronte Zaho Kokën? Po ç'të bënte ajo, e donte more, la Nako Spirun dhe ra në dashuri me Zaho himarjotin. Kur i thanë Nakos, se e fejuara e tij dashuronte Zahon, ai i zi, tha: Ndjenja është revolucion. E tha bukur. Ja, ky është stil.

Ra telefoni. Do të jetë Braçja, ka për të ulërirë siç e ka zakon. Mori receptorin dhe e vuri në vesh. Dëgjova batarenë andej matanë. Më shante mua, i dukej sikur ia kisha shtruar me të pira te fuçitë e tymit, tani ishte koha që piqeshin bërxollat dhe mbusheshin krikllat e birrës, rridhte anëve ajo e uruar shkumë. S'mbaronte duke përshkruar paninet e buta dhe qoftet e gjata me erëza.

Petro Marko mbylli me dorë receptorin dhe më tha duke qeshur: Ja, ky s'është stil.
Më la në duar fletët e letrës së Kavajës që t'i prisnin si brisk gishtërinjtë dhe më thirri nga pas: Edhe në dashuri të kesh stil. Në gjërat e tjera s'ka ç'të duhet. Duku nesër të më blesh paqetën dhe të tregoj kush nga shkrimtarët ka stil. Jam vetëm.

Baba, i thashë, takova Petro Markon. Kush është ky? Shkrimtari. S'e mbaj mend. Është i madh? Më i madhi. Kush është më i madhi? Babanë e mundonte fama. Si nuk e mban mend? Ai ta dinte emrin, të kujtonte dhe atë shprehjen "pjeshka e Tolkës".

Ai qeshi: Mua më njohin të gjithë, se atë punë kam, po unë s'kam si t'i njoh.
Babai mbahej rëndë. Ja, nga ky këndvështrim dilte se një infermier urgjence mund të ishte më i famshëm. Kjo vërtet e gëzonte dhe ai e besonte.

I çova paqetën, i thashë të shkonim të "Arbëria" të pinim kafe, po ai s'mundte. Ai s'dukej si shqiptar. Ishte shumë i bukur, korrozi, me sy tejet shprehës, të zgjuar, pretendues, me një fjalë bukuria e tij të krijonte njëfarë distance, po sapo fliste, se ai nuk rrinte dot pa folur, bëhej njeriu më i afërt dhe më i thjeshtë në botë.

Të ikte ndrojtja si e trembur.
E di pse nuk vij për kafe, se aq qejf kam të pi një kafe atje, po sapo më erdhi në mend një episod për romanin që kam nëpër duar, mendoj të punoj, s'te vjen keq? Me një fjalë po më jepte duart. Dukej që s'ishte fort në qejf, i dridheshin pak duart, i turbulloheshin sytë, vuri fletën në makinë dhe u ul.

T'jua bie kafenë këtu? Ah, djalosh, ti qenke flori, piva një në mëngjes që e bëra vetë, po më doli mavri, dëgjo, kur të veç atje, thuaj e dua për Petron, e dinë ato...

Nuk ia mbaj mend emrin kamerieres, po ajo u pre kur i thashë se Petro e donte kafenë në shtëpi. Nuk është mirë? më pyeti dhe iu mekën sytë, u dobësua menjëherë. Jo, po është gati për të filluar një roman të ri. Do që të më bëjë surprizë, pëshpëriti. Si do ta shtyj unë sot pa të? Jo, do ta lë "Arbërinë", do të shkoj te "Vollga", të paktën atje kam Sheri Mitën. Po filloi roman, ky s'di të mbarojë.

Dukej shumë e hutuar. Kamerieret gjithmonë më janë dukur të bukura. Fundi i zi i puthitur pas këllqeve dhe barkut, beli i tretur, gjoksi i kolmë i shtypur në sutjena për të mos rënë shumë në sy, bluza e bardhë e hekurosur nxitimthi, karafili që përtypin në goje, buzëqeshja, tundimi për t'u dhënë. Kjo e Petros ishte e gjatë, tejet e zhdërvjelltë, me bisht kali. Më dha kafenë, më futi si fshehtas një pako të vogël në dorë dhe më tha: Thuaj, se e puth..

I çova kafenë dhe atë pakon që ai e hapi shpejt dhe e kollofiti, ishte një ëmbëlsirë. Kursant, e hodha pjesën e vështirë, ç'të tha ajo? S'i erdhi mirë që fillove roman. Më tha se të puthte...

Dëgjo, ajo është çupkë e divorcuar, ti e pe sa e bukur ishte, i ka hipur në kokë me mua... S'më lë gjë pa lexuar... ore, po kur flas unë, ajo e lë punën, vë dorën në mjekër dhe më dëgjon si e lënë... flori është... më përkëdhel tërë kohën me sy, më thotë fjalë të mira, më jep, ja, nga këto ëmbëlsirat... Ç't'i bëj unë?

Ajo është në kohën e aventurave, unë i kam mbaruar... Ja, ky është stil. Sekreti për të ngjallur interesim, po s'pati interesim nga faqja në faqe, ftohet lexuesi... Ajo është stil, Ana Maria Monti është stil, këto femra që të marrin në qafë, duhet të jenë në roman, mu në qendër të romanit, se pa to s'ka art, po duhet të dish t'i përshkruash...

Një shkrimtar i mirë nuk rron dot pa këto gjëra. Të vogla, do të thuash ti, jo ore, të mëdha, them unë. Kur doli "Qyteti i Fundit", një grua zbriti nga pajtoni dhe më thirri. Ishte shumë e bukur, e veshur me pallto, me shall, me kapellë, ç'të shikoje, më e bukur s'bëhej, përpiqu ta njoh, jo, s'bëhej fjalë, ishte e huaj, e huaj ore, të besohet, foli italisht, mu hodh në qafë dhe më puthi. Iku, ktheu kokën dhe, me një buzëqeshje që s'do ta harroj, më thirri: Ana Maria Monti jam unë. Ishte gruaja e një diplomati, që edhe ai ishte brenda në pajton dhe ma bëri me dorë...

Ja, kjo marrëzi është stil... arrite ta bësh marrëzinë... po s'pati të tilla s'ke stil... Sa i koklavitur ky stili, ç'ta zgjas, është si ajo pakoja me ëmbëlsirën që ha unë më shumë, ajo më ktheu reston e surprizës, ajo, kamerierja e "Arbërisë". Ta ngjeshi ty në dorë minutën e fundit, pikërisht minutën e fundit, ja, kjo është ndjenjë e fortë turbulluese... Dhe të gjitha vijnë nga stili...

Tani më lër, më vjen keq, po mbathja, kursant...
Pas shpinës dëgjova si shkrehu karikatorin e shkronjave mbi letrën pa stil të Kavajës. O, sa dëshirë kisha që ai karikator të më zinte dhe mua!
Nju Jork 2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›