Muzeu i dashurisë

“Ishte një çmenduri, e di”, thotë Orhan Pamuk, i mbështetur mbi një parmak në katin e parë të kësaj shtëpie të çuditshme me ngjyrë të purpurt, në zemër të Stambollit të vjetër. Kudo ndihet aroma e pikturave të freskëta.
“Të ndërtosh një muze është njësoj si të bësh një shtëpi. Kjo çmenduri më ka tërhequr prej shumë kohësh. Për muaj të tërë as nuk kam shkruar e as nuk kam lexuar. Vetëm jam zënë me karpentierët dhe piktorët. U stresova, sepse mendoja se nuk do t’ia dilja kurrë, por tani gjithçka mbaroi. Sot është dita e inaugurimit. Jam shumë i lumtur”, shpjegon Pamuk.
“Muzeu i pafajësisë”, romani i fundit i shkrimtarit turk nuk është më një ëndërr në letër, por realitet. I prekshëm, konkret në këtë muze gjenden të gjitha objektet e përshkruara në historinë magjepsëse të pasionit mes protagonistit Kemalit dhe të dashurës Fusuni, vajza me “krahët ngjyrë mjalti”, të ekspozuara në tre kate dhe 83 vitrina, po aq sa kapituj janë. Ja si shprehet shkrimtari në lidhje me këtë ngjarje.
E para ka qenë ideja e librit apo e muzeut?
I kam konceptuar të dyja së bashku. Shtëpinë e bleva në vitin 1998 dhe menjëherë nisa të shkruaja këtë histori dashurie në Stambollin e viteve ’80, mes një sipërmarrësi të ri dhe shitëses që punon në një dyqan çantash.
Por romani u botua pas dhjetë vjetësh, ndërsa muzeu u hap sot.
Fillimi nuk ka qenë i lehtë. Kam ndërruar shumë arkitektë dhe me romanin po ecja shumë ngadalë. Kështu u detyrova të shkruaja romanin tjetër “Stambolli”.
Libri që në vitin 2006 ju dha çmimin “Nobel”. Po “Muzeu i pafajësive” si mendoni se është pritur?
Pozitivisht besoj. Motivi i librave të mi është natyrisht qyteti im. E shikoni këtë vitrinë? Brenda saj ka një hartë: rruga ku u vra Kelali i romanit “Libri i zi”, ose vendi prej nga niset Ka, protagonisti i librit “Bora”, ose hotel “Hilton” ku zhvillohet festa e fejesës së Kemalit
Le të shëtisim pak nëpër sallë. Çfarë është ky shkrim kur ngjitesh sipër?
Është fjala e hapjes së librit: “Ishte periudha më e lumtur e jetës sime dhe nuk po e kuptoja këtë gjë”.
Po brenda vitrinës së parë?
Është vëthi që humbet Fusun teksa bën dashuri me Kemalin.
Në katin e dytë janë ekspozuar këpucët e verdha të vajzës, që i veshi kur do të shkonte për të vallëzuar. Po ashtu në këtë vitrinë është e ekspozuar edhe çanta “Jenny Colon” që Kemali i dhuron të fejuarës Sibel, të cilën e kishte blerë në dyqanin ku risheh pas shumë vitesh kushërirën e tij të largët, Fusun, me të cilën bie edhe në dashuri...
Jua thashë pak më lart, po ua përsëris sërish: këtu janë ekspozuar të gjitha objektet e përshkruara në libër. Në këtë muze vizitorët mund të vinë me libër në dorë, ose të lexojnë informacionet që gjenden në internet. Jam i bindur se pas pak kohësh çdokush i harron historitë e librave. Por këtu romani mund të rikujtohet, madje mund të rindërtohen edhe ngjarjet e qytetit.
Në një vitrinë tjetër janë ekspozuar shfaqjet e filmave të viteve ’50. Cila është kjo biondja e reklamuar këtu?
Është një vajzë gjermane që bën reklama të ndryshme. Poshtë pastaj janë figurat e yjeve të kinemasë dhe futbollistëve të Fenerbaçes. Sipër, letrat e “Satsat”-ës firmës së Kemalit.
Këto objekte janë të vërteta apo fantazie?
Kam kombinuar dy gjëra. Nga njëra anë është romani, nga tjetra objektet e vërteta, më shumë se 1100-vjeçare: dokumentojnë një Stamboll që nuk ekziston më.
Si i keni gjetur të gjitha këto?
Disa prej tyre i kam gjetur duke kërkuar nëpër tregje. Shumë të tjera nëpër familje, ndërsa një pjesë i kanë bërë artizanët.
Përse objektet janë të rëndësishme?
Sepse asnjë njeri nuk e kupton se po përjeton periudhën më të bukur në minutën që po e jeton. Vetëm më pas e kupton se bëhet fjalë për një të kaluar që nuk do të kthehet më. E gjithë kjo shkakton një dhimbje të madhe. E vetmja gjë që të jep lumturi në një moment të trishtuar është objekti, që të kujton atë minutë të çmuar. Objektet e ruajnë ngjyrën, aromën e atyre momenteve me shumë fanatizëm, ndryshe nga njerëzit që e kanë jetuar vërtet atë moment.
Në këtë muze a mund të humbasin përmasat e kohës?
Në fizikë, Aristoteli ka bërë një dallim mes kohës dhe momenteve të veçanta, që ai i përshkruan si “e tashmja”. Pikërisht për të ruajtur ato momente të lumtura i kam koleksionuar këto objekte që kanë “njohur” fundin e Fusunit. Nuk janë gjërat ato që kanë rëndësi, por kujtimi që mbartin.
Në dhomën e fundit gjendet një krevat. Ai i Kemalit. Cili është qëllimi juaj? Çfarë doni të tregoni me këtë muze?
Besoj se vizituesit, pasi të përfundojnë xhiron nëpër muze, do ta kuptojnë se marrëdhënia mes Kemalit dhe Fusunit nuk ka qenë një histori e thjeshtë dashurie. Është historia e një bote, ose me fjalë të tjera është historia e Stambollit dhe unë jam i lumtur që, edhe një herë, arrita ta vija në skenë.