“Muzeu jashtë Muzeut”/ Ekspozitë me foto të artefakteve në ditën e monumenteve kulturore në Durrës

Dita botërore e trashëgimisë kulturore e gjen Durrësin me muzeun arkeologjik të mbyllur, për shkak të punimeve që kanë filluar për rikonstruksionin e tij.
Megjithatë, drejtuesit e qendrës muzeore Durrës kanë menduar që në këtë ditë të sjellin ekspozitën “Muzeu jashtë Muzeut”. Me anë të fotove, artefaktet më të rëndësishme që janë pjesë e muzeut arkeologjik Durrës janë ekspozuar në mjediset e shkollës artistike Jan Kukuzeli të qytetit.
Në ditën që kujtohet në gjithë botën vlerat dhe rëndësia e trashëgimisë kulturore, Durrësin e gjen me më pak monumente të vizitueshme, kjo për shkak të rikonstruksionit të tyre.
Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëmtime të shumta në trashëgiminë kulturore të Durrësit. Me fondet e programit EU4Culture janë duke u rijetësuar shumë monumente si Torra Veneciane, Hamami turk, Muzeu Arkeologjik, ndërsa të tjera si Muzeu Etnografik qëndrojnë të kyçura prej më shumë se 3 vitesh.
Në fillim të sezonit turistik pritet të hapet Torra Veneciane, e cila është kthyer në të vetmen qendër digjitale informacioni për trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit.
/rtsh/