E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muzeun Historik të Armëve gjatë qershorit e vizituan rreth 2.700 turistë

Muzeu i Armëve, i cili ndodhet brenda mureve të Kalasë së Gjirokastrës, është i veçantë, pasi pasqyron të gjitha gjurmët armatike dhe njëkohësisht mirëpret turistë nga mbarë bota.

Vizitorët vendas por dhe të huaj po shfaqin një interes tepër të veçantë për Muzeun e Armëve, të cilat janë të periudhave të ndryshme të historisë së Shqipërisë, por edhe për muzeun e burgut.

Koordinatorja e muzeut, Albana Ismaili, thotë se ky muze ka pritur rreth 2.700 turistë gjatë qershorit.

“Kemi një frekuentueshmëri dhe interes të lartë për Muzeun e Armëve, për Muzeun Historik, por te interesuar janë edhe për muzeun e burgut të kalasë,” thotë znj. Ismaili.

Ajo thekson se turistët që vijnë më tepër janë të huajt, si italianët, spanjollët apo anglezët, por të veçantë sivjet ngelen norvegjezët, holandezët e nga shumë vende të tjera.

Muzeu i Armëve është hapur në vitin 1971 si muze kombëtar i armatimeve, ku janë prurë të gjitha armët dhe llojet e tyre të përdorura gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Gazetare: Lediana Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›