Muzika e Metallica, si mjet torture

Ushtria amerikane ka ndaluar përdorimin e muzikës së grupit "Metallica" si pjesë e procesit të marrjes në pyetje në Irak. Vendimi erdhi pasi grupi u bëri një kërkesë zyrtarëve të ushtrisë.
Këtë fakt e ka bërë të ditur gjatë një interviste pjesëtari i "Navy Seal", që ka vrarë Osama bin Laden.
Ai i tha revistës "Esquire" se muzika e lartë e grupit heavy metal ishte përdorur për të torturuar të burgosurit.
“Metallica u lut që të mos përdorej muzika e tyre për shkak se nuk donin të promovonin dhunën. Mendova me vete: o shoku, po ju keni një album të quajtur “Vriti të gjithë”,” thotë marinsi.
Në vend të kësaj, marrja në pyetje nisi të kryhej me muzikën e grupit metal Demon Hunter në sfond. Madje ata ishin entuziastë për përdorimin e muzikës së tyre për torturë.
“Ata na thanë që ne promovojmë çfarë bëni ju. Dhe na dërguan CD dhe stema për uniformat tona. Unë mbaja stemat e tyre në uniformë në çdo mision. Madje edhe kur vrava bin Laden”. /Indeksonline/