Muzikë mbi nivelin e lejuar, gjobitet administratorja e një lokali në Shëngjin

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja”, bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike dhe në ankesat e qytetarëve, kanë vijuar kontrollet në terren.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës.
Sipas policisë, nga matjet e kryera sipas procedurës standarde, është konstatuar tejkalim i nivelit të lejuar të zhurmës në një lokal në Shëngjin.
Për këtë shkelje, policia bëri me dije se administratorja e lokalit, shtetasja E. P., 37 vjeçe, u ndëshkua me masë administrative 200 000 lekë.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Njëkohësisht, vijon zbatimi intensiv i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
/m.q/j.p/r.e/