Muzikë mbi nivelin e lejuar, gjobitet me 200 mijë lekë lokali në Shkodër

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet për respektimin e nivelit të zhurmave dhe orarit të aktiviteteve me muzikë në zonat turistike.
Gjatë kontrolleve të kryera nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bazë edhe të ankesave të qytetarëve, u konstatua muzikë mbi nivelin e lejuar në një lokal në Velipojë.
Për shkeljen, administratorja e lokalit, shtetasja E. Gj., 23 vjeçe, u ndëshkua me 200 000 lekë të rinj masë administrative.
Policia njofton se kontrollet u kryen me matës zhurme, në përputhje me përcaktimet ligjore për administrimin e zhurmës në mjedis. Gjithashtu, po verifikohet respektimi i orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, nga ora 11:00 deri në 24:00.
Kontrollet do të vijojnë edhe gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e qetësisë dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët.
Policia fton qytetarët të denoncojnë rastet e paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112.
/gj.m/j.p/