E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet me 200 mijë lekë të rinj pronari i lokalit në Shkodër

TIRANË, 29 gusht/ATSH/  Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatimin e legjislacionit për administrimin e zhurmës në mjedis.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në lagjen “Vasil Shanto”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan një lokal që gjeneronte muzikë mbi nivelin e lejuar.

Nga matja e kryer me pajisjen përkatëse, niveli i zhurmës rezultoi 86.3 dB.

Për këtë shkelje, pronari i subjektit, shtetasi M. L., 38 vjeç, banues në Shkodër, u ndëshkua me masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj, në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”.

Policia bën të ditur se kontrollet, verifikimet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë do të vijojnë.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit u ka bërë apel pronarëve dhe administratorëve të subjekteve që të respektojnë kriteret ligjore për oraret e zhvillimit të aktiviteteve me muzikë, si dhe nivelet e lejuara të zhurmës.

Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të njoftojnë Policinë për çdo shqetësim apo shkelje të konstatuar, duke garantuar reagim dhe trajtim të rasteve në përputhje me ligjin.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›