E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët mblidhen mes urimesh në drekën e Bajramit

Festa e Bajramit ka mbajtur në shtëpi familjarët, të cilët secili, në mënyrën e vet, ka dhënë kontribut për të shtruar drekën e Bajramit e për të uruar njëri-tjetrin për mbarësi, begati e harmoni.

E përkthyer nga arabishtja, Festa e Bajramit do të thotë gëzim dhe hare. Dhe dje, në këtë festë, kryeqytetasit kanë mbushur në orët e para të mëngjesit xhamitë dhe e kanë gdhirë në falje. Pas 30 ditëve të ramazanit, besimtarët myslimanë nuk kanë harruar as traditën, mënyrën e festimit të Bajramit. Në këtë festë, shtëpia duhet të jetë e pastër, e zbukuruar, tavolina duhet të jetë e përgatitur bukur, ndërkohë që fëmijëve u duhen blerë rroba të reja. Festa, veç faljes dhe drekës, ka pjesë të saj vizitat, takimet te të afërmit, miqtë dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

Festa

Dje, pas 30 ditësh agjërimi e sakrifice për shlyerjen e mëkateve, pastrimin e shpirtit dhe të trupit, besimtarët myslimanë iu falën Zotit t‘u pranojë këtë ritual, pavarësisht të mirave që ata presin t‘u sjellë. Sipas tyre, agjërimi është detyrë e çdo besimtari, por nga ana tjetër është përmbushje e qetësisë shpirtërore.

Herët në mëngjes sheshi "Skënderbej" në xhaminë e Et‘hem Beut është mbushur nga besimtarë myslimanë që //////kanë falur namazin.

Më pas, festa e Fiter Bajramit vazhdon me drekën tradicionale, ku në tryezat familjare nuk duhet të mungojë asgjë.

Përveç urimeve midis njëri-tjetrit për më shumë paqe e mirësi, karakteristikë e festës është ndihma për më të varfrit, në mënyrë që edhe ata me të ardhura të pakta financiare të kenë mundësi të shtrojnë tryezën në drekën tradicionale që mbyll muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Lypsarët

Në ditën e festës së Bajramit nuk mjaftonin as gishtat e duarve dhe as ato të këmbëve për të numëruar lypsarët ngjitur me xhaminë në qendër të Tiranës. E njëjta atmosferë ka qenë edhe në xhamitë e tjera të qytetit. Lypsarë që kërkonin lëmoshë pranë dyerve të Xhamisë së Tabakëve, xhamisë së Rrugës së Kavajës e tre xhamive të tjera brenda asaj që quhet vijë e verdhë.

Urimet e tyre kanë qenë: "Të faltë Zoti mëkatet, të rrofshin të afërmit, paç e dhënsh mbarësi e shëndet". Besimtarët e devotshëm që kanë lexuar udhëzimet e Islamit, e dinë që paratë që duhet të jepen për sevap duhet të shkojnë në vendin e duhur. Duhet t‘i jepen atij që vërtet ka nevojë. Sipas udhëzimit, paratë e dhëna për sevap duhet të shkojnë për vepra të mira, për ushqime, veshmbathje apo për nevoja të vërteta. E jo si në rastin e lypsarëve që dalin çdo ditë në rrugët e qytetit. Pakkush e di, por paratë që i jepen atyre nuk quhen sevap. Sipas besimtarëve, një pjesë e mirë e tyre punojnë me tutor e paratë e dhëna nga ata më pas shkojnë për "haram", për gjëra të padobishme e të ndaluara për shëndetin, siç është duhani apo alkooli. Kështu për të qenë në rregull me udhëzimin, me sevapin dhe për të ndihmuar vërtet ata që janë në vështirësi financiare, gjatë muajit të Ramazanit, në mënyrë të veçantë natën e Kadrit, apo në ditën e festës së Bajramit, besimtarët e vërtetë ndjekin këtë rrugë: Hedhin paratë e tyre në arkat e xhamisë ose ata që nuk shkojnë të praktikojnë ritet aty, ndihmojnë të afërmit, komshinjtë apo shokët që kanë probleme financiare dhe janë të varfër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›