E Diel, 1 Nëntor 2026

Lodhet Edvini, urdhëron eksodin e deputetëve, para 26 shtatorit

Kryetari mandatprerë dhe në menopauzë politike i PS-së ka frikën e një përplasjeje politike ditën e zgjedhjeve-fasadë të 26 shtatorit, prandaj ka urdhëruar partnerët e tij në parti që të shpikin një përplasje që të mundësojë përjashtimin e Blushit, Malajt dhe të të tjerëve, para kësaj date. Eksodi pritet të justifikohet me daljen publike kundër vendimit për bojkotin, por s’dihet nëse për gjenocidin politik do të caktohet Gramoz Ruçi, siç është vepruar edhe herë tjetër, kur ka pasur fushatë spastrimesh, në radhës e komunistëve TIRANË- Parashikohet që brenda një kohe të shkurtër kryesocialisti mandatprerë e në menopauzë politike, Edi Rama, të nisë thyerjen e “kockave” brenda partisë së degdisur në një formacion rrugësh, që po i shmanget debatit të vërtetë politik, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Me vendimet e fundit të ndërmarra, PS po faktohet si një forcë politike populiste dhe ksenofobe, ndaj procesit të evropianizimit të Shqipërisë, rrugë e cila është pa kthim tashmë, në kushtet e realizimit të reformave dhe konsolidimit të progresit demokratik. Duke i zhveshur vetes çdo përgjegjësi politike, morale dhe personale, Edi Rama shmangu nga partia edhe zërat kritikë, mendimin ndryshe, duke e ndrydhur demokracinë partiake dhe njëherazi izoluar zhvillimet politike në PS, përmes inskenimit të një tradite totalitare dhe ndrydhëse, si mbledhje me dyer të mbyllura, dhunimin e medias së lirë, fyerje dhe sharje të rënda, për këdo socialist të thjeshtë apo ish drejtues lokal, që i drejtohet me pyetje Edvinit, se pse zëri i PS-së nuk dëgjohet në parlament. Kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, krahas reprezaljeve ndaj kuvendit, duke bojkotuar seancat plenare mendon të krijojë një tjetër përshtjellim në partinë e tij, duke filluar “eksodin” e deputetëve që po planifikojnë rikthimin në parlament, në një të ardhme të afërt. Kërcënimi i tij ka qenë i qartë, vetëm para tre ditësh, gjatë një takimi me strukturat socialiste në Vlorë, se nëse ky grup deputetësh, vendosin të prishin bojkotin e partisë opozitare, atëherë ndaj tyre do të merren masa drastike, deri në përjashtimin nga radhët e partisë dhe përndjekja e egër, të cilën e ka bërë të ditur edhe në mbledhjen e grupit kuvendor të PS-së, ku kërcëoi rrezikshëm deputetin Ben Blushi.... Nga mënyra se si po shkon rrjedha e veprimeve politike brenda Partisë Socialiste dhe pas formalizimit zyrtar të grupit që kundërshton linjën politike personale të Edi Ramës, pritet që në këtë forcë politike, jo pjesëmarrëse në kuvend, të ndodhin “thyerje” radikale që do ta kthejnë atë në një arenë beteje bipolare. Edi Rama, për hir të ambicieve personale të qëndrimit me çdo kusht në krye të partisë, me pretekste nga më të ndryshmet dhe duke mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, i ka dhënë hov fraksionimit të partisë, të cilat edhe do të mundësonin spastrimin e radhës. Krisjet e para tashmë janë aktivizuar, me inicimin e “Lëvizjes për mendim ndryshe”, lëvizje kjo brenda Partisë Socialiste, që si fillim përfshiu 5 deputetë, kundërshtarët më të ashpër të Edi Ramës, Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Marko Bello, Kastriot Islami, por që së afërmi pritet të pasohet edhe nga të tjerët. Për momentin, vetë edvinistët shtojnë në listë edhe Et’hem Rukën, Shpëtim Idrizin e Bashkim Finon, por duket se në listë do renditen edhe të tjerë me karrierë politike, e që s’i përshtaten profilit të ri ylberist të partisë. Justifikimi i Ramës për këto veprime të pritshme politike s’ka surpriza e do të jetë shkelja e vendimit të partisë. Deputetët që priten të përjashtohen nga radhët e PS-së Ben Blushi Arben Malaj Andis Harasani Marko Bello Kastriot Islami Et’hem Ruka Shpëtim Idrizi Bashkim Fino Episodi i 2007 - Rama përjashton nga radhët e PS-së, 6 deputetë TIRANË- Episodi i përjashtimeve të deputetëve nga Edi Rama, nuk është një strategji e panjohur për të, pasi vetëm 2 vjet më parë, ai nxori jashtë radhëve të partisë së tij, 6 deputetë opozitarë, të cilët morën pjesë në votimin për presidentin e Republikës. Bojkoti i parlamentit është një situatë përsëritëse për Edvinin, pasi edhe në atë kohë, PS nuk merrte pjesë në punimet e kuvendit, duke bllokuar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ky vendim politik, rrezikonte kalimin e vendit të zgjedhje të parakohshme, çka do të ishte një kosto e rëndë për vendin dhe për procesin e realizmit të reformave ligjore.  Por, arsyetimi real i 6 deputetëve të PS-së, të cilët ndjenë mbi supet e tyre peshën e përgjegjësisë ndaj elektoratit, bëri të mundur që të marrin pjesë në punimet e kuvendit dhe të kalohej kuorumi i nevojshëm i votave, në bashkëpunim me shumicën parlamentare, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.  Pas finalizimi të kësaj çështjeje dhe mbylljes me sukses të procesit për zgjedhjen e Presidentit, Edvini mblodhi kryesinë dhe përmes dhunës verbale, vendosi përjashtimin nga radhët e PS-së, të 6 deputetëve si Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Taulant Dedja, Bukurosh Stafa, Durim Lamaj, dhe Hamit Kosta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›