SHBA zhbllokoi ndihmat për Palestinën

Lëvizja vjen pasi dy anëtarë të vjetër republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve tërhoqën kundërshtimin e tyre për lirimin e fondeve.
Një prej tyre, Illena Ros Lehtinen, deklaroi se paratë nuk duhet të shkojnë në Rripin e Gazës, që qeveriset nga lëvizja islamike e Hamasit. Gjithsesi, ajo tha se do të vazhdojë të bllokojë ndihmën e mbetur prej 58 milionë dollarësh.
Përmes një letre, republikania u shpreh se ishte e shqetësuar se fondet mund të përfundojnë në duart e militantëve dhe të përdoren nga ata për qëllimet e tyre.
Ros Lehtinen, që drejton Komitetin e Punëve të Jashtme, theksoi se po i zhbllokonte fondet me shpresën se ato nuk do të përdoren për ndërtimin e rrugëve në Bregun Perëndimor, ose për promovimin e tregtisë dhe turizmit nga palestinezët.
Ligjvënësit amerikanë i kishin bllokuar fondet që kur Autoriteti Palestinez u përpoq të siguronte njohjen si anëtar i OKB-së, shtatorin e vitit të kaluar.