N’ grevë për paga
Edhe një dështim i privatizimit me spin-off special. Radhën kësaj here e kishte prodhuesi i armaturës “FAN” në Podujevë, që nuk arriti t’i përmbushë obligimet e saj për investime dhe punësim.
Si pasojë, afër 100 punëtorë të kësaj fabrike ka tri ditë që kanë hyrë në grevë, për shkak se menaxhmenti i fabrikës shkeli marrëveshjen.
Këtë fakt e ka të qartë edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila pranon se blerësi ka dështuar, por që nuk tregon se kur do ta marrë një vendim.
Ata që po i vuajnë pasojat janë vetë punëtorët.
Sipas drejtuesve të sindikatës se FAN’it, sebep për të hyrë në grevë është bërë çështja e pagave të ulëta dhe shkelja e marrëveshjes nga menaxhmenti. Mesatarja e pagës që kanë marrë kohëve të fundit punëtorët ka qenë vetëm 138 euro.
Në bisedat që kanë pasur me menaxhmentin, sindikalistet thonë se arsyetimi i tyre ka qenë se nuk kanë momentalisht më shumë mjete.
Kreu i sindikatës, Ibrahim Hasani, thotë se kjo është dita e tretë në grevë dhe në të po marrin pjesë mbi 70 punëtorë, prej 95 sa i ka gjithsej fabrika.
“Të enjten do të protestojmë. Kërkojmë rritje të pagave. Kemi pas marrëveshje me menaxhmentin, por ajo është shkelur”, ka thënë për “Express” Hasani.
Sipas tij, para privatizimit të fabrikës, punëtorët kanë punuar gjatë tërë muajit, ndërkohë që tani kjo nuk është duke ndodhur. Ka nga ta që punojnë vetëm tri javë. Hasani thotë se kjo po bëhet me qëllim nga menaxhmenti, në mënyrë që punëtorët t’i paguajë më pak.
“Së fundi kam marrë pagë vetëm 138 euro”, ka thënë ai.
Gjithashtu blerësi me kontratë është dashur t’i punësojë në fabrikë 236 persona, por që nuk ka ndodhur as kjo. Fabrika numëron gjithsej 95 punëtorë.
Në mbështetje grevistëve ka dalë edhe Sindikata e Pavarur e Metalistëve të Kosovës. Përmes një komunikate, kjo sindikatë ka sqaruar se, pavarësisht dialogut në mes të menaxhmentit dhe sindikalistëve, nuk ka pasur ndonjë rezultat pozitiv. Për më tepër, numri i punëtorëve është duke u rritur dhe me punëtorët grevistë janë duke u solidarizuar edhe qytetarët e Podujevës.
“Ju njoftojmë se punëtorët e “FAN”-it të Podujevës që tri ditë janë në grevë para fabrikës duke kërkuar informata për paga dhe rritjen e pagave konform inflacionit dhe kushteve për jetesë”, thuhet në këtë njoftim.
Me rastin në fjalë janë në dijeni edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Zyrtarë të saj pranojnë se blerësi nuk ka arritur të përmbushë premtimet e dhëna me kontratë të nënshkruar.
“Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka diskutuar për këtë rast në fund të vitit të shkuar dhe i ka dhënë afat shtesë blerësit për të përmirësuar gjendjen në ndërmarrje në drejtim të përmbushjes së zotimeve”, ka thënë Kaloshi.
Pas përfundimit të afatit shtesë, Kaloshi thotë se Bordi i Drejtorëve do të diskutojë për ndërmarrjen “FAN” dhe do të merr vendim në përputhje me gjendjen ekzistuese në ndërmarrjen në fjalë. Ai ka thënë se AKP monitoron vazhdimisht këtë ndërmarrje dhe ndërmarrjet e tjera të privatizuara me spin-off special, të cilat ende nuk janë liruar nga raportimi në AKP për shkak të mospërmbushjes së zotimeve.