E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO: E gatshme të shqyrtojë propozimin serb për sigurinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer ka deklaruar në Bruksel se aleanca e Atlantikut të Veriut është e gatshme të shqyrtojë çështjen e heqjes së zonës së sigurisë përreth territorit të Kosovës, nëse do të ketë një propozim të Serbisë. "Përsa i përket zonës ajrore të sigurisë rreth Kosovës, jam i gatshëm të shqyrtoj propozimin e mundshëm nga ana e Serbisë", është shprehur Shefer. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjithashtu ka shtuar se marrëdhëniet midis KFOR-it dhe EULEX-it janë të rregulluara mirë dhe se secili prej dy misioneve ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. "KFOR-i gëzon besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të shumicës dhe të pakicës. Ne gjithashtu mendojmë se marrëdhëniet midis Serbisë dhe KFOR-it janë të mira", tha ai. Por Shefer megjithatë tërhoqi vërejtjen se situata në Kosovë vazhdon të jetë e ndjeshme dhe e ndërlikuar, duke thënë se është e nevojshme që rrethanat e atjeshme të tejkalohen hap pas hapi. Ndërkohë që qeveria e Çekisë, vendit mbajtës të Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, ka paraqitur një propozim të ri lidhur me pjesëmarrjen e forcave çeke në misionet ushtarake ndërkombëtare. Sipas këtij propozimi, Çekia do të mund të dërgojë deri në 550 trupa në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Dhjetorin e kaluar Parlamenti i Çekisë hodhi poshtë një propozim të qeverisë për praninë ushtarake jashtë vendit, duke kërcënuar me tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe Kosova. Në atë kohë, NATO-ja kishte shprehur shqetësimin e saj pas reagimit të parlamentit të Çekisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›