E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Gruevski kërkon anëtarësimin me FYROM

 Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski sot do të qëndrojë për vizitë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Gruevski pritet të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, por do të mbajë fjalim edhe pranë Këshillit veriatlantik.

Anëtarësimi i vendit në NATO dhe qëndrimet e Aleancës në Samitin e majit që  do të mbahet në Çikago do të jenë çështjet kryesore që do të diskutohen midis krerëve të NATO-s dhe kryeministrit Gruevski.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë në Shkup theksoi për agjencinë e lajmeve INA se Gruevski ka udhëtuar në Bruksel me kërkesën që të kërkojë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos me emërtimin aktual të vendit si FYROM.

Tashmë janë të qarta zërat se kërkohet anëtarësimi me emrin FYROM, deri në zgjidhjen e kompromisit me grekët për një emër të ri. Me këtë qëndrim ka udhëtuar edhe Gruevski në Bruksel, por vështirë mund të ketë rezultate, shprehet një zyrtar i lartë i Qeverisë në kushte anonimiteti.

Anëtarësimi me emrin e përkohshëm FYROM është refuzuar së fundi nga administrata amerikane. Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, gjatë vizitës së fundit në Shkup e përjashtoi një mundësi të tillë, duke kërkuar zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kryeministri Gruevski do të kërkojë nga Aleanca që Greqia të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila nxori fajtore palën greke për mosrespektimin e Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995, me të cilin lejohej dhe mundësohej anëtarësimi i Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare me emërtimin FYROM. / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›