E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO kushtëzon dërgimin e forcave në Afganistan

Dy shtete anëtare të NATO-s kanë theksuar sot se nuk do të dërgojnë forca shtesë në Afganistan, nëse pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili zhvillohet më 7 nëntor, nuk krijohet një qeveri legjitime në Kabul dhe përderisa presidenti amerikan, Barack Obama, të mos e shpalosë strategjinë e tij të re për Afganistanin.

Ministri holandez i Mbrojtjes, Eimert Van Middelkop, theksoi se vendi i tij, i cili ka tashmë të stacionuar mbi dy mijë ushtarë në Afganistan, është duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, duke theksuar se legjitimiteti i qeverisë afgane është vendimtar dhe shtoi se qeveria e tij është duke e pritur edhe vendimin e Obamës.

Pjesa më e madhe e shteteve janë në pritje të vendimit amerikan, tha Van Middelkop, gjatë takimit të 28 Ministrave të Mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s, i cili po zhvillohet në Bratislavë.

Edhe ministri danez i Mbrojtjes, Soeren Gade, theksoi se aleatët nuk do të shtojnë nivelin e forcave në Afganistan, përderisa të mos sigurohen se qeveria e re në Kabul është e përkushtuar për të mbështetur misionin dhe synimet e NATO-s.

Mendoj se ata, të cilët do të dërgojnë forca shtesë në Afganistan, do të parashtrojnë edhe kushte, tha Gade, vendi i të cilit ka të stacionuar 690 ushtarë në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›