NATO ndihmon Malin e Zi për dëborën. Po ne?
Dy helikopterë të NATO-s kanë mbërritur për ndihmë në Mal të Zi për tu përdorur në zonat e izoluara për shkak të dëborës së rënë. Edhe pse nuk është vend anëtar, qeveria e Malit të Zi kishte dërguar një kërkesë për ndihmë pranë NATO-s ditën e hënë, raporton Balkan Insight. Dhe NATO u përgjigj me urgjencë.
Kryeministri Igor Luksiç tha se disa vende anëtare të NATO-s kanë shfaqur vullnet për të ndihmuar Malin e Zi edhe pa kërkuar ata ndihmë. Mali i Zi ka si prioritet anëtarësimin në NATO. Edhe në Kosovë forcat e NATO-s, të pranishme aty, janë përfshirë në aksione të përbashkëta me forcat e sigurisë së Kosovës.
Po ne pse nuk na ndihmon NATO? Ne nuk kemi nevojë për NATO-n, jemi vetë brenda në NATO. Nuk ka gjë pse helikopterët tanë nuk ngrihen dot e nuk shkojnë askund. Nuk ka rëndësi as se makineritë tona nuk hapin dot as Rrugën e Kombit.