E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO s’e tejkaloi mandatin

Sekretari i përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-Moon, deklaroi se NATO nuk e ka tejkaluar mandatin e OKB’së, të cilin e mori për të mbrojtur civilët në Libi. Ban kështu hodhi poshtë kritikat që në llogari të Aleancës i ngritën Rusia, Kina dhe disa shtete të tjera të ngjashme lidhur me aksionin në Libi.

"Mendoj se Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit u realizua në mënyrë strikte, në kuadër të kufijve dhe të mandatit.

Operacioni ushtarak i NATO’s ishte ngushtë i lidhur me kornizat e Rezolutës 1973”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i OKB’së para gazetarëve të mbledhur në selinë e organizatës në New York.

Agjencia Reuters vlerëson se kjo gjë paraqet një lëvizje të pazakontë për “një shef deri tani mjaft të përmbajtur të OKB’së”.

Me Rezolutën 1973, të marsit 2011, shtetet anëtare të OKB’së autorizuan vendosjen e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi dhe ndërmarrjen “e të gjitha masave të domosdoshme” për mbrojtjen e civilëve të rrezikuar nga dhuna e forcave qeveritare ndaj demonstruesve kundër regjimit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB edhe një herë nënvizoi nevojën e një veprimit të përbashkët ndërkombëtar në Siri “në emër të humanitetit”, ngase, sipas të dhënave të fundit të organizatës botërore, dhuna ndaj pjesëmarrësve të protestave antiqeveritare deri më tani atje ka marrë mbi 5,000 jetë njerëzish.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›