E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet akuza ndaj ish-sekretarëve

Gjykatësi federal amerikan hodhi poshtë akuzën kundër dy ish-sekretarëve amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld dhe Robert Gates, të ngritur nga 28 pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan – që pretendojnë se ishin viktima të dhunës seksuale.

Në akuzën e cila u ngrit sivjet, para gjykatës në qytetin Alexandria, theksohet se Rumsfeld dhe Gates nxitën një kulturë që iu mundësonte dhunuesve të vepronin pa u dënuar dhe që, nga ana tjetër, të dënoheshin ata që ishin viktima të sulmeve seksuale, pas lajmërimit të sulmuesve.

Megjithëkëtë, gjykatësi federal, Liam O’Grady hodhi poshtë këtë akuza dhe vendosi që jurisprudenca nuk duhet të hyjë brenda materies së disiplinës ushtarake, edhe pse në arsyetimin e këtij vendimi vlerësoi se pohimet e viktimave janë shqetësuese.

Avokatja e viktimave, Susan Burke, tha se do të ankohet ndaj aktvendimit.

“Jemi të befasuar dhe të dëshpëruar”, i tha ajo përmes e-mailit agjencisë AP.

Ndryshe, statistikat e Pentagonit tregojnë se gjatë vitit 2010 ndodhën mbi 3,000 raste të sulmeve seksuale, megjithëse proceset gjyqësore nisën vetëm për 529 raste. Pentagoni vlerëson se shumica e sulmeve kalon pa lajmëruar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›