E Shtunë, 31 Tetor 2026

NE TOKEN E FARAONEVE

Ftojmë Berishën për kafe

Ruana Zot! U bë kohë që as shkruaj e as botoj! Dembelizëm me brirë. Sot thashë me vete: Sikter dembelizmit! Dhe rrëmbeva penën. Ngeca. Ndryshkje truri, llafos Avokati tani që ka bërë parti edhe të re edhe me statut, edhe grusht-bashkuar rreth Polit të Qendrës me në krye… Nuku ka emra të përveçëm. Në Pol të gjithë janë edhe anëtarë, edhe kryetarë! Bir o Mina! Po halli i honorareve? Kur më kanë munguar idetë për të shkruar, më lehtë e kam pasur të ripërtyp kujtime, si puna e bagëtive me stomak! Bagëtitë ripërtypin ushqimin kur janë me nge dhe nuk bëjnë zarare. Edhe unë me nge jam. Pa telashe. Buxhetin e Bashkisë së Tiranës, ku jam këshilltar me 140 mijë lekë të vjetra në muaj, e mbetëm në klasë. Le të vrasi veten Rama me shokë… Sa për të thënë. Rama, në vend që të bëjë kompromise si Obama në Senat, mjaftohet me vetënumërimin e votave në Këshillin Bashkiak! Pastaj bën llogo në takimet me vullnetarët rreth më rreth. Thotë: Buxhetin e miratova. Por ndalu Beg, se ka hendek, llafos populli ynë, që sipas sondazhit amerikan, ka nisur të bëhet merak edhe për ekonominë! Duhet edhe firma e prefektit të Tiranës. Duhet edhe Thesari të hapë thesin e parave, që Rama të bëjë rrugë e të mbjellë pemë më shumë se Berisha… E zgjatëm dhe e bëmë tërkuzë.

Seria e kujtimeve të mia është pa nishan. Duhet një sebep. Dhe sebepi ishte vizita e Berishës në Amerikë. Sukses i madh. Takime e përqafime të niveleve të larta shumë. Por nuk ka asgjë të re për të "kullotur" unë. Haberet janë botuar e stërbotuar për ditë me radhë. Pa folur për konferencën e shtypit të Doktorit. Na e bëri zemrën mal, ne, demokratëve!... Nuk di pse Amerika më kujtoi vizitën e Doktorit në Egjipt…

Vjeshtë e tretë 2007.

Sebep për të shoqëruar Berishën në Egjipt u bë një mesazh (sms) i Filipit: "Doktor! Këshilltari ynë, Mitro Çela kërkon të na japë kafe!" Nuk vonoi përgjigjja: "Filip, si shumë xhymert ky këshilltari ynë?!" Ndodhi, që atë ditë Berisha ishte në Shkodër. Për ngushëllim. Kishte vdekur ish-deputeti demokrat, Ferit Hoti… Kaluan disa ditë. Asnjë ftesë. Filipi bie në të thella: "Këto ditë Fiksi ka qenë i ashpër. E ka parë Doktori. Është thartuar. Në mëri e sipër, ka nxjerrë nga sirtari fermanin e vjetër: Le të ringrijë e të bëhet kallkan Filipi?! Ke argumente kundra?" … Më mungoi takti për t‘u përgjigjur. Zanati i lashtë i këshilltarëve: Heshtin kur duhet të flasin. Flasin kur duhet të heshtin…

Ato ditë mora vesh një haber. Një delegacion me në krye Kryeministrin do të shkonte në Egjipt, ditët e fundit të tetorit 2007. Haberi më ngacmoi kujtime të vjetra.

Kur vranë Sadatin…

Shtator 1981.

Punoja në gazetën "Zëri i Popullit". Më thërret kryeredaktori, në atë mot Mehmet Elezi. Më tha: "Ansambli i këngëve dhe valleve do të shkojë për disa koncerte në Egjipt. Partia mendon të të dërgojë ty për të bërë reportazhe. "Gëzimin e ndava me zonjën, në atë mot të fejuar taze. U kapardisa. Pas 10 viteve punë si gazetar, ishte hera e parë që do të shkoja për vizitë jashtë shtetit?!... Plotësova letrat. U prenë biletat…, por nuk të lë tersi.

6 tetor 1981.

Në Kajro u organizua një paradë ushtarake në kujtim të luftës të vitit 1973. Në tribunë, Presidenti Sadat. Para tribunës parakalonte ushtria. Një tank ndaloi. Zbriti një ushtar me një mitraloz në dorë. Gjakftohtë. Armën e drejtoi nga Presidenti. Hapi zjarr. Sadati vdiq në vend… U trazua bota. U shkund Egjipti… Mbeta edhe unë pa shkuar në Egjipt. Normale. Nuk mund të ketë këngë e valle pas një tragjedie…

Sebep për të anuluar ftesën

Duke nakatosur kujtimet me realitetin, thashë t‘i bëj një surprizë Filipit. Në fillim ftova për kafe Grid Rrojin, drejtor shtypi i Kryeministrit.

Unë: Me Filipin na ka ngelur gozhdë. Nuk kemi vizituar tokën e faraonëve…

Ai: Jeni me fat. Kryeministrin e kanë ftuar në Egjipt. Mund të vini.

Unë: Me një kusht. Ftesën ta bëjë Doktori!

Ai: Pa problem. Ka vetëm një pengesë. Paratë duhet t‘i gjeni vetë…

Brenda ditës, Gridi tha ‘ok‘. Na u deshën dy ditë për të gjetur sponsorizim. Na u ndodh pranë Agim Shënediela. Si biznes zgjidhi qesen. Na bleu dy bileta, edhe pse Filipi dhe unë parapëlqyem para të thata në dorë!...

Një ditë para nisjes, ndodhi hataja. U sëmur vjehrri me vjehrrën e Filipit, që jetojnë në Divjakë. Miku im, nga dashuria për gruan, la Kajron për Divjakën. Gjest fisnik! Kështu do të veproja edhe unë...

Berisha më bën një ofertë të lartë shumë

27 shtator 2007.

Zumë vend në aeroplan. Në rreshtin e parë Berisha me zonjën. Në krahun e çiftit, u ul ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Prapa tyre këshilltarët e Kryeministrit: Arben Imami, Grid Rroji, Selami Xhepa dhe shefi i protokollit, Kujtim Xhani. Më pas, grupi i gazetarëve të "nakatosur" me një tufë biznesmenësh të njohur: Behar Malaj, Agron Musarai, Vasil Naçi, Gjokë Uldedaj etj. Kur kaloi ora e parë e udhëtimit, zura vend në krah të Rulit. Me këtë rast shkëmbeva dy pare muhabet me Doktorin dhe zonjën Liri. Kur aeroplani qëndroi, vura re nga dritarja. Ishte shtruar qilimi i kuq për të pritur delegacionin. U ngrita për të shkuar në vendin tim.

Berisha: Ku shkon Mitro! Qëndro aty ku je! Ti do të jesh zëvendësi im i ardhshëm!

Tha këto fjalë dhe, së bashku me Lirinë dhe Gencin, u drejtuan te shkallët. Pashë më bisht të syrit këshilltarët. Ndjeva pak xhelozi. Për të zbutur efektet dhe keqkuptimet, sidomos tani që hartohen listat për deputetët e ardhshëm, nga fjalët e Doktorit, nisa debatin:

Unë: E dëgjuat me veshët tuaj! Së shpejti do të jem këshilltar për shtypin!

Gridi: Kryeministri e ka drejtorin e shtypit…

Imami: Gridi ka të drejtë. Doktori tha: zëvendësi im. Kjo nënkupton se do të zësh vendin e Oketës!

Ende nuk kishte shpërthyer baruti në Gërdec. Oketa mbante fronin e zëvendëskryeministrit… Ma ka ënda. Ka ndryshuar bota… Në vitin 1992, kur gatuhej qeveria ‘Meksi‘, isha axhami, ndaj nuk e pranova fronin e ministrit të Turizmit! Tani që mbusha 60, më kanë ardhur mend edhe pse populli thotë: Kur të vinë mendtë, nuk i duan as qentë… Drejtova trupin. Nxora gjoksin përpara, si heronjtë e realizmit socialist, të hedhur në bronz dhe thashë: Zoti Imami! Fraza e Doktorit: "Ti do të jesh zëvendësi im i ardhshëm!" kërkon shqipërim me autorin, për të mos lindur keqkuptime, po të kemi parasysh se fraza u tha në fluturim, d.m.th në ajër...

Në Kajro…

E njëjta ditë. Ora 13. Zumë vend në autobus. Nisemi drejt Kajros. Peizazh abstrakt. Rërë pa fund. Mbi rërë, të "montuara" shtëpi banimi. As pallate. As skelete. Gjysmë për gjysmë. Godinat në kuptimin figurativ ishin edhe male, edhe kodra, edhe tarraca. Brenda godinës 10-katëshe, gjendej një dykatësh, i lënë përgjysmë. Në vazhdim një pesëkatësh, së bashku me një trekatësh.

Futemi në rrugët e Kajros. O Zot! Kaos i vërtetë. Lumë makinash. As semaforë e as policë qarkullimi. Ec të ecim. Makina të "plagosura" nga përplasjet. Shoferë që shajnë! Pasagjerë që mallkojnë. Mishmash. Autobusi qëndroi. Nuk mund të shkonte më tej. Rrugën e kishte bllokuar një makinë. Kishte parkuar anapulla. Po halli? Nga autobusi zbritën disa biznesmenë. Më të fuqishmit. Jo nga fitimet. Nga muskujt. Nuk do harruar fakti që mes biznesmenëve ishte edhe presidenti i Federatës së Sporteve të Rënda…U afruan te makina. E ngritën peshë dhe… rruga u hap. Holli i hotel ‘Hilton‘. Në pritje për t‘u regjistruar, u ula në kolltuk. Pranë meje një egjiptian. Mesoburrë. Në duar mbante një libër. Pashë me bisht të syrit, portretin e një hoxhe: çallmë e mjekër e bardhë… Burri, pa më përshëndetur, ma zgjati librin. Autori: Gilbert Sinoue. Titulli: Faraoni i fundit. Nëntitulli: Mehmet Aliu me origjinë shqiptare, i mbiquajtur Napoleoni mysliman… Hapa sytë, sikur të më ishte shfaqur qoftëlargu. Egjiptiani kishte në dorë një libër të përkthyer nga Luan Rama… Burri nisi të më flasë me një shqipe të çalë: "Gruan e kam shqiptare. Nga Vlora. Ku e gjeta? Më gjeti ajo. Të dy studentë. Për ekonomi. Deri në martesë ishte e urtë, si gamile. Pas martesës nisi të hedhë shkelma. Më thotë: "Mëso shqip ose të ndava! Duke qenë e huaj, ligji e mbron, d.m.th më rrëmben pasurinë…". Hapa faqen e parë. Citat nga libri "Kujtimet e përtej varrit", i Chateaubriand: "Francezët mbollën në Egjipt farën e qytetërimit, të cilën e kultivoi Mehmet Aliu. Lavdia e Bonopartit u rrit dhe një rreze drite depërtoi në errësirat e islamit…".

… Dy ditë në Kajro. Takuam Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Jashtëm… Na premtuan se do të njihnin Kosovën… Por dele pa qumësht, thotë populli. Egjipti i bën hosana Serbisë, në kujtim të miqësisë së vjetër mes Naserit, ish-president i Egjiptit dhe Marshallit Tito, ish-president i Jugosllavisë!… Këtu zë fill nacionalizma ime: fshiu nga kujtesa një sërë bëmash të kolme shumë, por që nuk ia vlen të tregohen, deri në ditën kur Egjipti të njohë Kosovën!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›