E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në mbledhjen e qeverisë kroate

Operatori i televizionit kroat RTL, Ivan Cvirn, provokoi rëndë Kryeministren e re të Kroacisë, Jadranka Kosor, duke u shfaqur këto ditë, në mbledhjen e qeverisë kroate kushtuar masave që ajo (qeveria) ka në plan të marrë për grumbullimin e mjeteve financiare për nevojat e buxhetit shtetëror plot probleme të vendit, i veshur me një bluzë, ku shkruhej në anglisht me germa të dallueshme "Nuk kam nevojë për seks. Qeveria ma bën përditë" (I don‘t need sex. The government fucks me every day) që, në fakt, nuk është, për arsye të kuptueshme, përkthim i drejtpërdrejtë në shqip.

Kryeministrja e re kroate reagoi shumë ashpër ndaj kësaj shakaje të hidhur të operatorit, që kishte shkuar në mbledhjen e qeverisë kroate për të xhiruar në emër të televizionit RTL, duke e kuptuar se operatori synonte pikërisht atë. "Të gjithë janë të mirëpritur në mbledhjet e qeverisë, ne jemi zgjedhur në mënyrë legale, ne nuk kemi ardhur nga rruga, por këto lloj shfaqjesh janë të palejueshme", tha e irrituar znj. Kosor, e cituar nga media kroate. Sesa u zëmërua znj. Kosor e tregon edhe fakti se ajo, përmes agjencisë shtetërore kroate të lajmeve, HINA, lëshoi menjëherë edhe një komunikatë zyrtare lidhur me ngjarjen.

Operatori, nga ana e tij, vuri në dukje se motivet që e kishin nxitur atë të vishte bluzën në fjalë ishin praktike, pasi ajo kishte qenë e vetmja bluzë e pastër atë ditë në shtëpinë e tij. Por, më pas, sidoqoftë, ai shtoi se kanatierja e tij shprehte, fundi-fundit, mendimet e tij për qeverinë aktuale dhe se ai nuk kishte frikë të thoshte publikisht atë që mendonin të gjithë njerëzit, vë në dukje media kroate.

Administrata e televizionit kroat RTL reagoi menjëherë, duke hequr dorë nga shërbimet e mëtejshme të operatorit Ivan Cvirn, i cili, në fakt, i përkiste firmës "Studioblend", me të cilën televizioni i lartpërmendur kishte marrëveshje pune, me argumentimin se operatori, me aktin e tij, kishte njollosur prestigjin e kompanisë televizive.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›