E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kosovar dhe një serb: Ju tregojmë miqësinë tonë

Roja e pyllit, serbi Dragoljub Simiç, nga Kurshumlija e Serbisë, gjeti këto ditë, në mes të natës në pyll, vajzën shqiptare Aishe Islami, nga fshati Sllatinë të Podujevës, që kishte humbur pasi kishte shkuar në pyll të mblidhte kërpudha dhe kishte kaluar pa e ditur vijën kufitare që ndan Kosovën dhe Serbinë në atë zonë. Në shenjë mirënjohjeje, familja shqiptare Islami e vajzës së gjetur i ofroi familjes serbe Simiç që të bëheshin pobratimë (vëllamë).

Drama që përjetoi familja shqiptare e Xhevad Islamit nga fshati Sllatinë pranë Podujevës, më 22 qershor të këtij viti, kur vajza e tij 10-vjeçare, Aishja, ishte nisur atë ditë në mëngjes të mblidhte kërpudha në pyllin pranë fshatit të saj dhe kishte humbur atje, duke mos gjetur dot rrugën e kthimit, ndërsa kishte kaluar, sigurisht, pa e ditur edhe kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në atë zonë, përfundoi për gëzimin e të gjithëve falë rojës së pyllit Dragoljub Simiç nga Kurshumlija, shkruante këto ditë gazeta e përditshme serbe "Politika", që shtonte se në shenjë mirënjohjeje, familja Islami i kishte ofruar familjes Simiç që kryetarët e tyre të bëheshin pobratimë (vëllamë), gjë që u pranua me kënaqësi nga familja serbe.

"Sapo kishte rënë errësira, kur unë bashkë me djalin tim, Millanin, po ktheheshim nga fshati Tërmka, ku jeton nëna ime. Kishte nisur një shi i imët, ndërsa mjegulla po mbulonte zonën përreth, kur papritur në anë të rrugës më zuri syri siluetën e një fëmije. E ndaluam menjëherë makinën tonë xhip, zbritëm, u afruam dhe pamë një vajzë të vogël që mbante në dorë një shportë me kërpudha. Duke qarë na pyeti: ‘Kush kaj Sllatina‘ (në shqip). E kuptuam se ishte shqiptare nga Sllatina, një fshat rreth 10 kilometra përtej vijës së kufirit dhe se kishte humbur", kujton atë natë dramatike roja e pyllit Dragoljub Simiç, duke vazhduar më tej: "E hipëm vajzën në makinë dhe u kthyem mbrapsht në Tërmka, ku, sikurse thashë, jetonte nëna ime, ndërsa vetë fillova të përpiqesha se mos gjeja ndonjë numër telefoni të ndonjë të njohuri që kisha në Sllatinë. Nëna ime i dha vajzës diçka për të ngrënë, më duket se një copë keku. Vajza e trembur fillimisht e refuzoi, por, pasi ndenji pak, e mori. Unë ndërkohë arrita të gjej numrin e telefonit të mikut tim shqiptar, Fazlli Uka, nga Sllatina, të cilit i telefonova menjëherë dhe i tregova për vajzën e gjetur. Ai, nga ana tjetër e telefonit, thirri me gëzim: ‘Po atë kanë që nga mëngjesi që po e kërkojnë, madje i ati dhe i vëllai ende nuk janë kthyer‘", citon rojën e pyllit Simiç gazeta e mësipërme, sipas së cilës, Fazlliu lajmin e gëzuar ua transmetoi prindërve se vajza ishte gjetur dhe ndodhej në duar të sigurta. Kështu që në një vend pranë kufirit, për të cilin ranë dakord në telefon, diku rreth mesnatës, Dragoljubi me të birin, në një atmosferë gëzimi, ua dorëzuan vajzën shqiptare të gjetur të atit të saj, Xhevad Islami, dhe mikut të përbashkët Fazlli Uka. "Fati i madh që vajza u ndodh në anë të rrugës pikërisht në atë kohë, kur Dragoljubi kaloi me xhip, për më tepër që në zonat tona nata është e rrezikshme, pasi ka ujqër", thotë Fazlliu. Dragoljubi, nga ana e tij, shton se njerëzit duhet t‘i gjenden njëri-tjetrit si në të mirë, ashtu edhe në të keq, nga cilado anë qofshin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›