E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJE KIOSKE NE TIRANE DHE VILA NE ARCORE

Ligjet janë shkruar për të mos u respektuar nga ligjvënësit... është një aforizëm cinik, që konfirmon se në historinë e njerëzimit, pavarësisht syve të lidhur të përmendores së drejtësisë, në të shumtën e herës, të pushtetshmit u shmangen përballjeve me drejtësinë. Shumëkush në këtë hutim, që buron nga sjellja aspak e barabartë përpara ligjit, ka shpejtuar të gjejë edhe "shpjegimin", i cili "bazohet" tek i ashtuquajturi ndëshkim me anë të votës, shpjegim që do të thotë se për të pabërat, qeveritari ndëshkohet jo nga gjykata, por nga vota e publikut.

Një sërë nenesh të kushtetutave të ndryshme, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, kanë bërë kujdes posaçërisht që qeveritarët t‘i shmangen kësaj përgjegjësie vetanake nën ombrellën: vendimet kolegjiale të qeverisë nuk gjykohen. Sigurisht, prapa këtij parimi fshihen shkaqe më të thella, sikundër është fakti se mungesa e një argumenti të tillë do të bënte që çdo qeveri të degdiste në burg të thellë pararendësen, megjithatë edhe ky justifikim ngjan i mangët, nëse vërtet kemi të bëjmë me një drejtësi që nuk i merr urdhrat nga politika….

Gjithsesi, që të mos hallakatemi nëpër arsyetime kundërthënëse, më mirë të sjellim disa shembuj, që të vërejmë ndryshimet e sjelljes së politikës dhe politikanëve përballë ligjit.

1.

Mëngjesi, ashtu siç na kishte paralajmëruar Valentini një natë më parë, ishte i mrekullueshëm. Nga sheshi i ulët në hyrje të vilës San Martino, përmes gjetheve të sapoçelura të pemëve mund të shihje gjelbërimin e përmbajtur e të shëndetshëm pranveror të fshatit të vogël Archore. Ndërkaq, Silvio Berluskoni u shfaq i freskët dhe na përshëndeti miqësisht, si zot shtëpie dhe si një kavalier i vërtetë. Kishte hedhur një pulovër të kaltër mbi supe, përkëdhelte qenin e shtëpisë që i sillej nëpër këmbë. Kryeministrat e tjerë nuk kishin dalë ende nga apartamentet e tyre, na sqaroi, dhe na ftoi për një shëtitje. Pas përfundimit të takimit të Adriatikut, një ditë më parë në Bari, ai i kishte ftuar kryeministrat për në Milano. Sigurisht e kishte filluar me Nanon. Kishim para derbin Milan-Inter dhe në mbrëmje ishim ngjitur në Archore.

Teksa ecnim, Kavalieri na fliste për kontët Casati-Stampa, prej të cilëve e paskësh blerë vilën. Për ndryshimet e pafundme që i kishte bërë vilës së shumëpërmendur. Për thashethemet në lidhje me të ashtuquajturat fusha elektrike potente që buronin nga bodrumet e saj. Një shaka jo shumë e kripur që lidhej me seksin. Pastaj për pasionin e Veronikës për të pikturuar (ende nuk kishin filluar sherret për të cilat flasin sot të gjithë ditën mediat jo vetëm italiane). Për zakonin që i kishte mbetur nga rinia e të zgjuarit herët në mëngjes, pavarësisht se netët nuk i kishte të shkurtra. Duke ecur përkrah tij, e dëgjoja dhe nuk më bëhej të besoja se ishte po ai Silvio aq shumë i përfolur dhe i sulmuar gjerësisht nga shumëkush. Por tashmë e njihja sjelljen tekanjoze jo vetëm të drejtuesve, por edhe atë politike të mediave.

Teksa ecnim më zunë sytë një ndërtesë njëkatëshe gjysmë të rrënuar. Në ambientin ku gjithçka ishte në vendin e vet, ku bari dhe pemët dukeshin se ishin rritur sipas një urdhri të prerë ushtarak, ajo ndërtesë dallonte që larg dhe ngjante si një mbeturinë e një kohe të perënduar. Miku im, Titi, e pyeti se si kishte mundësi që ajo ndërtesë i kishte "shpëtuar" rinovimit.

Zëri i Silvios u bë nervoz.

- S‘më jep leje komuna ta rinovoj, - na tha, - kemi një kryetar komune, një komunist që na urren ne, të pasurve. Kam bërë projekte me arkitektët më të mirë të Italisë, i kam thënë se kjo që dua të bëj vetëm e zbukuron vendin, e kam ftuar për darkë në vilë dhe ia kam shpjeguar me detaje… Shkurt nuk ma jep lejen…

- Dhe s‘e prek dot?

- Absolutisht jo.

Gjithkush mund ta marrë me mend habinë e dy personave që vinin nga Shqipëria ku lulëzojnë ndërtimet informale të pallateve dhe ku në çdo dy tabela, njëra shkruan, me një paturpësi thuajse të pafajshme: "Toka asht e zanun"…

2.

Pak a shumë të njëjtën ndjesi kam provuar teksa vizitoja Parlamentin spanjoll, këtu e dhjetë vjet të shkuar. Luanët te dera. Qetësi nëpër salla. Biblioteka e pafund. Mensa, ku grupet e deputetëve mund të hanin në pushimin e seancave.

Teksa gjerbnim një kafe, zonja që na shoqëronte, një deputete e Zaragozës, anëtare e grupit të miqësisë me Shqipërinë, pamja e së cilës nuk kishte askurrfarë lidhjeje me përshkrimin e Bajronit te njëra nga këngët e Child Harold-it, na tregoi ndodhinë e mëposhtme:

Menjëherë me rënien e diktaturës së Frankos, në entuziazmin e demokracisë së re, në kushtet kur Parlamenti realisht po merrte peshën që lipset të ketë ai në një vend demokratik, një grup arkitektësh projektuan ndërtesën e Parlamentit të ri, pikërisht atje ku ndodhet edhe sot e gjithë ditën, përballë shëtitores kryesore të qytetit, përballë El Prados, plot nëntë kate të lartë. Sapo përfundoi ngrehina dhe Parlamenti filloi punë, një grup arkitektësh, të cilëve sigurisht u kishte vrarë sytë fakti që ndërtesa ishte të paktën katër kate më e lartë se të gjitha ndërtesat përqark, hapën planin rregullues të Madridit dhe panë se ajo zonë ishte parashikuar të mos kishte ndërtesa më të larta se pesë kate. Atëherë, përkundër faktit se kishim të bënim me një gjendje të lartë emocionale, përkundër faktit se vetë Parlamenti e kishte mundësinë që të nxirrte një vendim të ndryshëm si organi superior vendimmarrës dhe një monarki kushtetuese, të gjithë iu nënshtruan "planit rregullues": Parlamenti i Ri i Spanjës Demokratike u shkurtua me katër kate.

Ashtu është edhe sot e kësaj dite.

3.

Sapo kisha mbyllur së treguari ndodhitë e mësipërme, biseda u zhvendos natyrshëm në një temë, për të cilën të gjithë në këtë yrt të shkretë të Ilirisë janë të "mirinformuar dhe ekspertë": legalizimet, ndërtimet e paligjshme, përfshirjen e politikanëve në këtë aferë dhe funksionimin e shtetit. Njëri nga të pranishmit, pikërisht ai miku im që këmbëngul se të flasësh në Shqipëri për norma dhe sisteme është njëlloj si t‘i veshësh qenit brekë, nënqeshi me një djallëzi, që nuk ia kishim hetuar më parë.

- Ǒke? - e pyetëm.

- Ka humbur shatërvani, - tha.

Dukej që nuk e kishte menduar gjatë atë që do të thoshte dhe mënyrën se si do ta thoshte. Ia respektuam skenarin dhe u shtymë ta pyesnim për ç‘shatërvan e kishte fjalën.

- Shatërvani në sheshin "Skënderbej"…

Në heshtjen e shkurtër që pasoi, të gjithë u kujtuam vërtet që shatërvani në qendër të Tiranës nuk ekzistonte më. Gropat ishin aty, por shatërvani ishte "zhdukur" si me magji. Të gjithë mendonim: Kur? Si? Si nuk i paskemi parë punëtorët xhanëm?

Miku im, për të mos na lënë gjatë në hamendjet tona, sqaroi me shpejtësi se mbi ish-shatërvanin ishte ngritur ajo kioska, ku Edi Rama, herë pas here hap ndonjë ekspozitë propagandistike.

Atëherë filluan hamendjet. Njëri tha se kioskën e kishte bërë ngaqë nuk duronte kur shihte katundarët, të cilët atje lanin këpucët. Një tjetër, sepse lagështira e shatërvanit i bënte keq për frymëmarrjen. Një i tretë, sigurisht që tha një arsye tjetër dhe një i katërt bëri humorin e radhës se, me siguri pas ca kohësh atje do të ngrihej ndonjë pallat…

Pavarësisht humorit, një pyetje mbeti pa përgjigje: Ǒështë ky administrator, i cili merr vendime dhe i zbaton ato pa asnjë konsultë, pa përfunduar as planin rregullues përmes ca studiove që herë janë franceze e herë zvicerane? Që i pikturon vetë në afshet e krijimit fasadat e pallateve ku jetojmë ne? Që bën riorganizimin e qarkullimit të qytetit po vetë, duke shtuar ndjeshëm kaosin e papërballueshëm?

4.

- Do t‘ju tregoj një ndodhi, - e filloi pas një heshtjeje disi skenike, njëri prej të pranishmëve: Pranë shtëpisë sime është ndërtuar një pallat. Leja ishte për tetë kate. Përfundoi katërmbëdhjetë, pasi njëri nga pronarët thonë se ka lidhje të forta me politikën qendrore. Edi Rama nuk u dha lejen e shfrytëzimit, pasi i konsideron kundërshtarë. Atëherë, ata shkuan tek ALUIZNI dhe morën tapitë për gjashtë katet "informale". Tani ironia është kjo: ata që banojnë në tetë katet e para që janë të ligjshëm, nuk marrin dot lejen e shfrytëzimit. Shkaku: katet jashtë projektit. Ilegalja është e ligjshme, ajo e ligjshmja mbetet ilegale…

- Të gjithë ne që pretendojmë të respektojmë shtetin, në fakt mbajmë në shpinë të paligjshmen, - tha njëri prej nesh që preferon konkluzionet, - ja shikoni punën e energjisë elektrike, patentat, diplomat e pafundme, masterat, CV-të e paverifikuara të politikanëve, këngëtarët, targat e makinave…

Dhe pastaj natyrshëm erdhi pyetja: në këtë vend është më mirë të jesh legal apo ilegal?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›