NJU DELHI – Putin mbërrin në Indi, në vizitën e parë që nga pushtimi i Ukrainës

NJU DELHI, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti sot në Indi për një vizitë dyditore shtetërore, gjatë së cilës do të zhvillojë bisedime me kryeministrin indian Narendra Modi.
Dy udhëheqësit u panë duke u përqafuar ngrohtësisht në pistën e aeroportit, pasi avioni i Putinit u ul në Nju Delhi, sipas medieve lokale.
Kjo është vizita e tij e parë në vendin më të populluar në botë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Sipas raportimeve të medieve që citojnë qeverinë indiane, pas një darke private me Modin menjëherë pas mbërritjes, të dy liderët do të takohen sërish nesër për samitin e 23-të Indi-Rusi.
Bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë tregtinë dhe energjinë.
”Të dy palët synojnë të zgjerojnë partneritetin e tyre të veçantë dhe të privilegjuar strategjik”, sipas medieve.
India është një nga blerëset më të mëdha të naftës ruse.
Rusia po përdor një pjesë të të ardhurave nga këto shitje për të financuar luftën në Ukrainë, për të cilën Modi ka kërkuar vazhdimisht t’i jepet fund./ /Ad.Ab./