E Enjte, 5 Nëntor 2026

NJU JORK – Baerbock: Marrëdhëniet Gjermani-Iran në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave

NJU JORK, 31 tetor /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha sot se marrëdhëniet me Iranin kanë arritur në nivelin “më të ulët të të gjitha kohërave” pasi Berlini njoftoi mbylljen e konsullatave iraniane – për shkak të ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian Jamshid Sharmahd.

Baerbock tha se vrasja e Sharmahd, e cila u njoftua të hënën, tregon se “regjimi i padrejtësisë” iraniane vazhdon të veprojë brutalisht.

Duke folur në Nju Jork, Baerbock tha se regjimi iranian njeh mbi të gjitha gjuhën e shantazhit, kërcënimeve dhe dhunës.

“Ne i kemi bërë vazhdimisht të qartë Iranit se ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda”, shtoi ajo.

“Megjithatë, Gjermania nuk po planifikon të mbyllë ambasadën e saj në Teheran”, tha Baerbock, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte një favor për regjimin.

“Ne e dimë se ekziston një Iran tjetër”, tha ajo.

Zyra e Jashtme tha më herët se konsullatat e përgjithshme iraniane në Frankfurt, Mynih dhe Hamburg do të mbylleshin, megjithëse ambasada në Berlin do të mbetej e hapur. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›