NJU JORK – Biden bën thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës civile

NJU JORK, 25 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar botës që të mos heqë dorë nga paqja përballë konflikteve në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Sudan.
“Unë i njoh sfidat duke nisur nga Ukraina deri në Gazë, në Sudan dhe më gjerë”, tha Biden në selinë e OKB-së, në Nju jork.
Biden renditi Luftën e Vietnamit, Aparteidin në Afrikën e Jugut dhe pasojat e sulmeve të 11 shtatorit në 2001 si shembuj – për të treguar se ku ishte bashkuar komuniteti ndërkombëtar për të ndikuar në ndryshim.
Në Sudan, Biden bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës civile – duke iu drejtuar botës se duhej të ndalonte armatosjen e dy gjeneralëve në konflikt, të cilët presidenti amerikan tha se po copëtonin vendin dhe po nxisnin një krizë humanitare.
Që nga prilli 2023, sundimtari de fakto Abdel Fattah al-Burhan dhe ushtria janë duke luftuar për epërsi në vendin e tretë më të madh të Afrikës me ish-deputetin Mohamed Hamdan Daglo dhe milicinë e tij.
Biden tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën – pas më shumë se dy vjet e gjysmë lufte nga Rusia.
“Ai u nis për të shkatërruar Ukrainën, por Ukraina është ende e lirë. Ai u përpoq të dobësonte NATO-n, por NATO është më e madhe, më e fortë, më e bashkuar se kurrë më parë”, tha Biden.
“Bota tani ka një zgjedhje tjetër për të bërë. A do të vazhdojmë mbështetjen tonë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë këtë luftë dhe të ruajë lirinë e saj, apo të largohemi, të lëmë agresionin të rinovohet dhe një komb të shkatërrohet? Unë e di përgjigjen time. Ne nuk mund të lodhemi dhe te heqim dore”. //a.i/