E Martë, 3 Nëntor 2026

NJU JORK – Guterres kundërshton propozimin e Putinit që OKB-ja të qeverisë Ukrainën

NJU JORK, 29 mars /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres nuk sheh nevojën për zgjedhje të reja në Ukrainë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, duke hedhur poshtë një propozim të presidentit rus Vladimir Putin.

”Ukraina ka një qeveri legjitime dhe padyshim që duhet respektuar”, tha Guterres të premten në Nju Jork kur u pyet për sugjerimin e Putinit.

Putini kishte propozuar më herët vendosjen e Ukrainës nën administrimin e përkohshëm të OKB-së ndërkohë që mbahen zgjedhjet e reja.

Ai argumentoi se zgjedhjet e kohës së luftës, të cilat janë të ndaluara me ligj në Ukrainë, duhet të organizohen për të krijuar një qeveri të aftë për të negociuar paqen.

Megjithatë, Ukraina dhe aleatët e saj kanë frikë se Moska mund të shfrytëzojë zgjedhje të tilla për të instaluar një qeveri marionete besnike ndaj Kremlinit, veçanërisht në zonat e pushtuara nga Rusia.

Putin përsëriti se ai beson se mandati i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky është i paligjshëm.

Ukraina ka qenë nën ligjin ushtarak që nga pushtimi i plotë i Rusisë, duke shtyrë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Shumë në Ukrainë besojnë se mbajtja e zgjedhjeve në mes të konfliktit në vazhdim do të ishte jopraktike dhe e padrejtë, pasi do të ishte e vështirë të sigurohet pjesëmarrja e ushtarëve dhe civilëve të zhvendosur.

Analistët thonë se Moska po shtyn narrativën e zgjedhjeve si një mënyrë për të delegjitimuar Zelensky dhe për të shtyrë administratën Trump që të minimizojë rolin e tij në negociatat e paqes./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›