E Martë, 3 Nëntor 2026

Podkasti Flasim, Rama: Kjo nuk është luftë, as përpjekje për të poshtëruar njëri-tjetrin, është ndeshje demokratike

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Në episodin e 12 të sezonit 4 të podkastit “Flasim” kryeministri Edi Rama kishte ftuar sot të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë të cilët i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Kryeministri Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, tha se “jam sot me Sarën, Knidin Klean, tre përfaqësues të rinisë opozitare që i kam njohur dhe jam shumë i privilegjuar dhe e them me shumë sinqeritet më është dhënë mundësia ta shoh PS-në, ta shoh pushtetin tonë vendor përmes syve të tyre”.

“Vij nga një familje balliste e internuar prej shumë vitesh dhe më vonë kaluam me PD. Gjithmonë kamë qenë në ballë të protestave të PD, kam qenë kryetar forumi”, u shpreh Knidi Merkaj.

“Familja ime ka qenë e majtë, në 2021 partneri im është angazhuar me PD-në dhe e kam mbështetur, por e them gjithmonë e kam bërë për të ruajtur “paqen” në familje. Ka qenë një grup shumë i bashkuar”, tha Klea Lalo.

“Kam qenë e angazhuar në PD prej shumë vitesh, kam qenë kryetare e FRPD në Vlorë, kam kandiduar edhe për kryesinë e PD-së. E kam bërë për ideale, por gjërat nuk shkuan siç dëshironim dhe nuk e gjetëm më veten aty. Sot ndodhemi këtu për të qenë pjesë e një gjëje ndryshe”, tha Sara Bodo.

Bodo shtoi se “ishte e vështirë, pata sulme kur u angazhova në degën e PD-së pasi njerëzit janë të vështirë, ka qenë mision i vështirë por pata mbështetjen e grupit”.

Të rinjtë treguan se u bashkuan me Partinë Socialiste pasi Zamira Sina, dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Ismail Qemali” e angazhuar me PD-në, ishte në listë të mbyllur për kandidate për deputete në Vlorë me PS-në.

“Ti ose të tjerë si ty e vendosin një ditë që të jenë pjesë e PS-së ose jo kjo është një pjesë që është proces, por nuk ka nevojë të jesh pjesë e domosdoshmërisë së një partie për të bërë një zgjedhje të caktuar në një moment të caktuar, kur sheh që gjëja është këtu sot, nesër, dhe madje kur ka momente që kura më e mirë për partinë në të cilën aderon është të thuash se “jo këtë herë nuk ta jap votën sepse dua që të ndryshosh ti nuk ndryshove kaq kohë, unë nuk ta jap votën”. Tjetër gjë është ajo që ke ti me politikën lart në qendër, tjetër gjë është ajo e komunitetit, që duhet të ndihen pjesë e një komuniteti të përbashkët edhe madje madje edhe bisedat jashtë beteje janë normalitet. Të ulesh të pish kafe jemi kundërshtarë, nuk ka problem, kjo është një lloj kulture”, tha Rama.

“Vendi më i pamundur që më është dukur mua që mund të mbillej kjo është Vlora, por mbase pikërisht aty ku është më e vështira do të mbillje kjo lloj kulture mes atyre që janë më të rinj që të fillojnë të kuptojnë se kjo nuk është as luftë, as përpjekje për të asgjësuar njëri-tjetrin, kjo është një ndeshje demokratike ku bashkëjetesa duhet të jetë”, tha më tej Rama.

“Cilësia e demokracisë dhe cilësia e jetës në një bashkëjetesë, organizatë, shtet, familje, nuk varet nga sa shumë je dakord, por nga mënyra sesi nuk je dakord, sepse ti mund të mos jesh dakord për diçka, tjetër gjë është kur flet me qetësi dhe njerzillëk, tjetër gjë kur shkul flokët dhe bën sherr”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›