Koreja e Veriut përgatit evakuimin e ambasadave të huaja
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se qeveria ruse është në kontakt të afërt me Shtetet e Bashkuara, Kinën, Korenë Jugore dhe Japoninë, lidhur me kërkesën e Koresë Veriore për shqyrtimin e evakuimit të ambasadave në kryeqytetin Phenian.
Zoti Lavrov tha sot se kërkesa ishte bërë për të gjitha ambasadat në Phenian, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në gadishull. Sipas tij, Rusia dhe vendet e tjera po përpiqen ta qartësojnë situatën.
Zyra e jashtme britanike ka thënë se kërkesa ishte pjesë e vazhdimit të retorikës së Koresë Veriore.
Sot më herët gjatë ditës, agjencia jug-koreane Yonhap ka raportuar se Koreja Jugore ka vendosur dy luftanije të pajisura me sisteme mbrojtëse antiraketore në bregdetin lindor dhe perëndimor.
Kjo, në përgjigje të lëvizjes të së paku një sistemi raketor të Koresë Veriore në bregdetin e vet lindor. Javën e kaluar Pheniani ka shpallur gjendjen e luftë me Korenë Jugore.
5 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Koreja e Veriut përgatit evakuimin e ambasadave të huaja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email