Shqipëria mban frymën për Tirana-Skënderbeu
Besa fiton dhe garanton mbijetesën. Teuta-Kukësi, një sfidë për Europa League
Altin Manallari
Kategoria Superiore e startoi javën e 21 në Kavajë, me ndeshjen Besa-Kastrioti, e fituar nga vendasit me rezultatin 2-0, falë një dopiete të Sokol Cikalleshit. I pari ishte një eurogol, realizuar në minutën e 25 të pjesës së parë nga një largësi e konsiderueshme, ndërsa i dyti nga pika e bardhë e penalltisë, dy minuta nga fundi i kohës së rregullt. Kjo fitore i vlen Besës, sepse tani e shikon veten më të sigurt për sa i përket sigurimit të qëndrimit në Kategorinë Superiore. Por gjithsesi java e 21-të e Superiores pret me ankth dy nga supersfidat, atë Tirana-Skënderbeu dhe Teuta-Kukësi. Në sfidën e parë, kampionët në fuqi, me në krye trajnerin Mirel Josa, do të duhet të konfirmojnë se janë ata dominuesit e këtij sezoni dhe e meritojnë titullin kampion, i cili nuk do të rrezikohej edhe në rast se humbasin. Ndërsa për Tiranën është një ndeshje prestigji: bardheblutë kanë hequr me kohë dorë nga titulli kampion, por një humbje mund ta komplikojë objektivin e tyre për të arritur një vend komod në zonën që të çon në Europa League. Nëse Tirana do të arrinte një fitore kundër kampionëve, për ta do të thoshte shumë, sepse kështu do të mund të konfirmonin se i kanë harruar kohët e vështira. Nuk mbetet pas për nga rëndësia dhe rivaliteti as ballafaqimi i Niko Dovanës. Aty ku Teuta e vendit të dytë pret debutuesit në Superiore, por tepër ambiciozë në këtë sezon. Të besuarit e Cungut vijojnë të luftojnë në të dyja frontet, në ndjekje të ëndrrës së tyre të madhe, Kupat e Europës, mision i cili kalon edhe përmes javës së 21. Një fitore e miqve bën që të parakalohet Teuta, në të kundërt durrsakët mund të shkëputen nga kuksianët, kur dihet se Flamurtari është aty pranë, i gatshëm për të përfituar. Teuta është skuadra që duket se ka shfaqur më shumë vazhdimësi në këtë sezon dhe i ka bërë të gjithë skeptikët që të fillojnë të besojnë te kjo skuadër, edhe pse individualitetet nuk është se duken, por grupi po bën një punë maksimale. Durrsakët nuk kanë ndërmend ta lëshojnë vendin e dytë dhe këtë e kanë demonstruar me një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen kundër skuadrës më të mirë të kampionatit, Skënderbeut, vetëm një javë më parë.
Superiore (Java XXI)
DJE
Besa-Kastrioti 2-0
Cikalleshi 25, 88 (11-m)
SOT
14:00 Flamurtari-Luftëtari
14:00 Shkumbini-Vllaznia
14:00 Tomori-Apolonia
14:00 Laçi-Bylis
17:00 Teuta-Kukësi
17:00 Tirana-Skënderbeu
Shqipëria mban frymën për Tirana-Skënderbeu burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email