NUUK – Edege: Trump duhet ta kuptojë se Groenlanda nuk shitet

NUUK, 6 mars /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump e dëshiron Groenlandën dhe e thotë qartë se “në një mënyrë ose në një tjetër do ta arrijmë”, shkruan adnkronos.it.
Presioni i presidentit të Shteteve të Bashkuara e ka rikthyer ishullin në qendër të vëmendjes, të cilin ai e konsideron thelbësor për “sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Trump shkon më tej.
Me një ftesë, pak ditë para zgjedhjeve që do të mbahen në Groenlandë për të përcaktuar kuadrin politik të territorit që i përket Danimarkës, ai thotë se ”SHBA mbështet fuqimisht të drejtën e qytetarëve të Groenlandës për të përcaktuar të ardhmen e tyre dhe, nëse ata vendosin kështu, ne i mirëpresim ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Por, përgjigjja vjen menjëherë nga kryeministri i Groenlandës, Mute Egede.
”Ne nuk duam të jemi amerikanë apo danezë. Ne jemi groenlandezë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
“Amerikanët dhe udhëheqësi i tyre duhet ta kuptojnë këtë. Ne nuk jemi në shitje dhe nuk mund të na marrin thjesht”, shtoi ai./ /os/