E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na boksuan

Dy boksierët e arratisur, Mahmut Gorda dhe Agron Nushi, të mërkurën janë lajmëruar, për herë të parë, që prej kur kanë ikur nga përfaqësuesja e Kosovës, e cila po merrte pjesë në turneun ndërkombëtar Grand Prix Ostrava 2009.

Nëpërmjet postës elektronike, dy boksierët kosovarë, kanë bërë të ditur arsyen e ikjes nga përfaqësuesja në drejtim të shteteve perëndimore. Gjendja e rëndë ekonomike në të cilën kalojnë familjet e tyre, ka bërë që Gorda dhe Nushi mos të kthehen në Kosovë.

Me keqardhje po ju shkruajmë këtë letër se, unë Mahmut Gorda nga K.B. Prizreni, dhe Agron Nushi nga K.B. Gjakova, për disa arsye kemi ikur nga Çekia. Ne jemi me vite në reprezentacionin e Kosovës dhe nuk jemi shpërblyer asnjë herë nga Federata e Boksit të Kosovës, thuhet në letrën e shkruar nga Gorda dhe Nushi.

Madje, dy reprezentuesit e Kosovës kanë akuzuar edhe drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), për tretmanin që u është bërë atyre.

Ju e dini se sa herë Kosova ka boksuar në turnetë ndërkombëtare, FBOXK ka marrë të holla nga Ministria e Sportit, Departamenti i Sportit dhe nga sponsorë të ndryshëm. Ne në asnjë rast nuk jemi motivuar dhe kujdesur, por vetëm jemi shfrytëzuar dhe injoruar. Ne nuk kemi marrë asnjë herë ndonjë para nga Federata, shkruan në letrën e dy boksierëve.

Gorda dhe Nushi kanë treguar se nuk kanë mundur të jetojnë nga boksi, por asnjëherë nuk e kanë refuzuar ftesën e përfaqësueses së Kosovës. Ata thonë se për ta siguruar mbijetesën për familjet e tyre, janë detyruar të punojnë punë të ndryshme që nuk i përkasin aspak profesionit të tyre. Sipas tyre, udhëheqësit e boksit kosovar janë pasuruar nga djersa e tyre.

Sekretari gjeneral, Mehmet Bogujevci, sekretari teknik, Latif Demolli, dhe kryetari Ramadan Selimi, janë pasuruar me djersën tonë. Ata kanë shtëpi luksoze, vetura të mira dhe restorante, thonë ata.

Mirëpo akuzat për zyrtarët e FBOXK-së nuk mbarojnë me kaq. Ka pasur raste kur Latif Demolli ka pirë nëpër restorant, e ne kemi këqyr, dëshmitar janë edhe boksierët tjerë. Ndërsa, kur ka ardhur kamerieri, i ka thëne të lutem shkruaje tiketën p.sh 20 euro, e ajo në të vërtet nuk ka kushtuar më shumë se 5 euro. Rasti i fundit ka qenë ditën kur kemi udhëtuar për në Çeki. Kemi qenë në veturë me Xhevdet Pecin dhe jemi ndalë në pompë. Aty Xhevdeti i ka qitë 15 euro benzinë, ndërsa i ka thanë që faturën ta bëjë 40 euro. E neve nuk na kanë paguar as një hamburger 1 euro, e thoshin hajt se ka pare Ministria. Kjo është marre, thuhet në letrën e shkruar nga Gorda dhe Nushi.

Gorda ka treguar se nga Prizreni është nisur me vetëm 15 euro në gjep, derisa në Çeki ka udhëtuar me vetëm 11 euro, pasi 3 euro ka paguar biletën e autobusit deri në Prishtinë, e me 1 euro e ka ngrënë një byrek. Ndërsa, falë ndihmës së shokëve, ka arritur të dalë në Gjermani.

E di që kemi bo keq, por kemi qenë të detyruar. Ne skemi pas mundësi tjetër dhe FBOXK na ka detyruar të veprojmë në kësi mënyre. Na falni nëse ju kemi zhgënjyer, por skemi pas tjetër rrugëdalje, thuhet në fund të letrës e cila është shkruar nga Gorda dhe Nushi, të cilët javën e kaluar janë arratisur nga përfaqësuesja e Kosovës.

Mohojnë akuzat

Në anën tjetër, sekretari gjeneral i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Mehmet Bogujevci, ka mohuar akuzat e Gordës dhe Nushit, për të cilët thotë se janë munduar ta arsyetojnë vetëm, pas ikjes nga përfaqësuesja e Kosovës.

Qysh të pasurohem nga Federata e Boksit kur nuk ka pare. Me zor po mundohemi të mbijetojmë, nuk marrim rroga qe sa vjet, theksoi Bogujevci, i cili mendon se pas shkresës së Gordës dhe Nushit qëndron dikush, pasi sipas tij, ata nuk dinë të shkruajnë.

Sipas Bogujevcit, boksierët që boksojnë për përfaqësuesen e tyre nuk paguhen në asnjë vend, përveç kur marrin pjesë në Kampionate Botërore ose në Lojëra Olimpike.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›