“Na duhet patjetër”/ BE reagon pas deklaratave të Trump për Groenlandën: Mbrojmë parimet e sovranitetit kombëtar

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me komentet e presidentit të SHBA, donald Trump për Groenlandën.
Zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, tha vetëm se “i kemi dëgjuar edhe më parë këto komente dhe i qëndrojmë asaj që kemi thënë tashmë në këtë sallë për këtë çështje”.
Edhe zëdhënësja për politikën e jashtme, Anitta Hipper, përsëriti se “BE-ja do të vazhdojë të mbrojë parimet e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve, si dhe Kartën e OKB-së”.
“Këto janë parime universale dhe ne nuk do të ndalemi së mbrojturi ato.”
Ajo theksoi se Groenlanda është “një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës” dhe se çdo ndryshim në këtë drejtim u takon për ta vendosur vetë groenlandezëve dhe danezëve.
E pyetur vazhdimisht për një qëndrim më të qartë, ajo u shpreh:
“E kemi pasur këtë pyetje edhe më parë dhe nuk do të komentojmë hap pas hapi… Situata është se ne presim që të gjithë partnerët tanë të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të përmbahen ndaj angazhimeve ndërkombëtare.”
Sikur të mos mjaftonte përgjegjësia e jashtëzakonshme që ka marrë përsipër në Venezuelë, presidenti amerikan rihap edhe frontin e Groenlandës.
Në një intervistë për “The Atlantic”, ai deklaroi se ai territor, që i përket një vendi aleat në NATO, Danimarkës, “na duhet patjetër: është një ishull i rrethuar nga anije ruse dhe kineze”.