Na ishte dikur… estrada e duhan-cigares/ Humoristi i njohur Muhamet Çekini i rikthehet kujtimeve

Ish-fabrika e duhan-cigares në qytetin e Shkodrës dikur prodhonte cigare për tregun e brendshëm dhe për eksport bashkë më atë të Durrësit.
Duhani që prodhohej në zonën e Nënshkodrës dhe Mbishkodrës grumbullohej dhe magazinohej në ndërtesa të mëdha që tashmë kanë mbetur pjesë e së kaluarës.
Në vitin 1956 kur u ndërtua fabrika do të krijohej edhe estrada e fabrikës, ku pjesë e saj do të bëhej në moshën 24-vjeçare, aktori i njohur i humorit Muhamet Çekini.
Sot 75 vjeç ai e kujton me nostalgji kohën kur punonte në këtë fabrikë dhe përvojën si mekanik për riparimin e makinerive.
“Kam filluar punë në moshën 21-vjeçare si mekanik”, tregon ai.
Vetëm një pjesë e ish-fabrikës është privatizuar por aty nuk prodhohet duhan por këpucë. Të gjitha godinat e tjera të mëdha kanë degraduar.
“Ndërtesa ka qenë fabrika e vjetër e cigares, më vonë u bë një fabrikë e re, por ndërtesa e vjetër ka rezultuar më rezistente,” shtoi ai.
Në vitin 1999 godinat e ish fabrikës së duhan- cigares shërbyen për strehimin e familjeve kosovare të cilët u larguan nga lufta.
Në ato kohëra, Muhameti do të rikthehej sërish por jo për të punuar si mekanik por për t’i shërbyer vullnetarisht si ndihmës kuzhinier shtetasve kosovarë.
Ish-fabrika e duhan-cigares shërbeu edhe si fidanishte për estradën e Shkodrës duke nxjerrë ikona të këngës dhe humorit shkodran.
“Fermentimi i duhanit ka qenë finanishtja e estradës profesioniste. Këtu janë formuar të gjithë ata ata që kanë marrë pjesë në ekstradë si Tan Banushi, Gëzim Kruja, Bujar Qamili etj.” shprehet humoristi.
Në fabrikën e duhan-cigares dikur punonin rreth 2 mijë persona, ndërsa sot kapanonet janë shkatërruar dhe bimësia ka mbuluar gjithandej të gjithë sipërfaqen.
Në ato vite Shkodra dhe Shqipëria krenohej nga tre fabrika ajo e duhanit, ish fabrika e letrës dhe ish uzina e telit që mbanin peshën e ekonomisë shkodranë, kurse sot ato mbeten kujtime të së kaluarës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/