E Diel, 1 Nëntor 2026

“Na ishte një herë... Meta, Rama dhe shokët e tyre...”

Në vështrim të parë ngjarjet që Shqipëria po përjeton aktualisht, të kujtojnë një ëndërr të frikshme që të fut në ankth e të zgjon të djersitur. Popullit shqiptar, të gjithë këtë makth po ja jep ajo klasë politike që e solli vetë në detyrë. Pas gjithë sharrjeve e fyerjeve nga më skandalozet dhe pas gjithë paralajmërimeve nga ndërkombëtarët, ende nuk po arrihet në diçka konkrete.

Ajo që të bën më shumë çudi, është se heroi i përpjekjeve për ta shpëtuar vendin nga kaosi në të cilin është futur, duket se është një nga aleatët kryesorë të Edi Ramës, Ilir Meta. Deklarata nga më të ndryshmet kontradiktore vijnë si nga zoti Meta, ashtu edhe nga zoti Rama apo edhe nga të djathtët. Psikologjia e të qenurit një parti e vogël, po e detyron zotin Meta që të pastrojë baltën që ka hedhur deri më tani. E sikur ky të mos ishte ai person që deri dje mbështeti deri në fund apo drejtoi edhe vetë zotin Rama, sot hidhet në shesh i pari dhe përpiqet të luajë rolin e negociatorit. Dhe populli i ha të gjitha këta sikur të ishin pjesë e një menuje të servirur me shumë kujdes.

Historinë e zotit Meta në këtë aspekt do ta filloja me “Na ishte një herë....” e do ta lija në mes si një përrallë të papërfunduar. E vlerësoj kështu, pasi çdo veprim i tij, duket hapur dhe qartazi se është një marrëveshje e fshehtë e tij me liderët e majtë. Ndërkohë që zoti Rama thotë që data e zgjedhjeve duhet të shtyhet me 80 apo 85 ditë, lideri i LSI-së pohon se afatet kushtetuese nuk lejojnë më larg se 20 Shkurti. Në momentin që mazhoranca dhe ndërkombëtarët do të pranojnë propozimin e e LSI-së, meritat e zgjedhjeve do ti shkojnë si zotit Meta ashtu edhe zotit Rama, pasi jane pjese e nje koalicioni te perbashket. Në këtë mënyrë do të jetë përmbushur edhe misioni i tyre.Kjo vihet re akoma më mirë me deklaratat e socialistëve menjëherë pas prononcimt të tre partive për një platformë të përbashkët. Ata që deri më dje flisnin për shtyrje të zgjedhjeve për në muajin mars, sot përshëndesin platformën e përbashkët. Kjo histori duket se i ngjan një pazarlliku të një tregëtari që shkon për të shitur diçka dhe fillimisht jep një çmim të lartë që ta shes më vonë në atë që mendonte. Meta dhe Rama në planet e tyre e kanë vendosur që më parë datën e zgjedhjeve, por duket se vendosmëria e mazhorancës i detyroi ata që të ndryshonin plan.

Në planin e tyre bënë pjesë edhe ato parti, anëtare të koalicionit të djathtë si PDK dhe PBDNJ. “Të betuara” për të punuar per vendin, këta tre parti parlamentare, dalin me një platformë të përbashkët duke hedhur kështu dyshime në marrëdhëniet si brenda koalicionit të majtë ashtu edhe atij të djathtë. Vetë zoti meta këtë bashkëpunim e quan si “diçka që nuk është një tregues i ngjyrave politike apo i forcave që ata përfaqësojnë, por tregues i përbashkët për një çështje shumë të rëndësishme për të gjithë politikën dhe shqiptarët”. Ndërkohë që synimi kryesor i tyre është që të dëgjohen sado pak më shumë. PDK me veprimet e saj të fundit kërkoi me çdo kusht që të shtonte disi numrin e deputetëve të saj në mënyrë të ushtronte presion tek mazhoranca demokratike për pjesëmarrje në qeverisje. Duke e ditur se pesha e tyre është vetëm tek zgjedhja e presidentit apo miratimi i ndonjë ligji, këta parti po bëjnë të pamundurën për të dalë sa më shumë në medja me platforma të tilla e me lojra politike.

“Na ishte një herë...” tashmë le ti mbetet të kaluarës zoti Meta me shokët e tu! Shqiptarët nuk meritojnë më një ndëshkim të tillë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›